Kol Nikollaj: Kërkesa absurde, policia nuk mund të prishë grevën
Kreu i Konfederatës Sindikale të Minatorëve, Kol Nikollaj, e ka konsideruar si tërësisht abuzive dhe të papërgjegjshme kërkesën e Repartit të Shpëtim-Minierave për të ndërhyrë me forca policore për nxjerrjen e minatorëve. Nikollaj është shprehur se policia duhet të zbatojë ligjin dhe ka akuzuar këtë institucion për mbështetjen e kompanisë ACR.
Zoti Nikollaj, reparti që merret me shpëtimin e minierave i ka bërë thirrje policisë që të nxjerrë minatorët nga greva. Si e gjykoni kërkesën e tyre?
Jam informuar për pretendimet e këtij institucioni, që pasi ka inspektuar galeritë dhe vendin ku janë ngujuar minatorët, tani i kërkon policisë nxjerrjen e minatorëve, sepse po pretendon se galeritë mund të shemben. Më së pari, dua të nënvizoj se ky institucion është qartësisht në “xhepin” e interesave private që po shfrytëzojnë minatorët. Kërkesa është ekstreme, qartësisht e urdhëruar nga autoritete private edhe pse institucioni që e ka bërë është publik dhe si rregull duhet të sigurohet për të ruajtur interesin e përgjithshëm shoqëror dhe jo atë të individëve apo kompanive. Më lejoni t’u jap një detaj të vetëm që mbështet ato që ju thashë më lart. Prej vitesh, makineritë dhe karrocat dhe gjithë mjetet e punës që përdorin minatorët në atë minierë janë tërësisht jashtë çdo lloj standardi minimal. Keni dëgjuar gjë që ky institucion të kërkojë nga kompania se përse abuzon me minatorët, duke shmangur investimet dhe kostot e saj? Ku ishin këta inspektorë gjithë këto kohë? Tani paska probleme galeria, më parë nuk ka patur?
Në rast të një ndërhyrjeje të policisë, cili mendoni ju se do ishte reagimi?
Më së pari dua të theksoj se policia vepron në bazë të ligjit dhe jo në bazë të dëshirave. Për këtë gjë jam i sigurt, pasi jo çdo kërkesë nga cilido institucion mund të vërë policinë në lëvizje. Në rast se do ndodhin veprime force dhe të jashtëligjshme, natyrisht që fizika dhe ushtrimi i forcës ka ligjësit e saj të veprimit dhe kundërveprimit. Të njëjtën logjikë kanë dhe veprimet dhe kundërveprimet e moralit. Bisedoi: H.Hasani