E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bumçi: Rama, aksion politik kundër heqjes së vizave

Deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, akuzoi dje kreun e opozitës, Edi Rama, se po ndërmerr një aksion politik kundër heqjes së vizave me shqiptarët

Deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, akuzoi dje kreun e opozitës, Edi Rama, se po ndërmerr një aksion politik kundër heqjes së vizave me shqiptarët. Sipas Bumçit, trashëgimtarët e sistemit komunist kanë ndërmarrë një fushatë shpifjesh kundër dokumenteve të identitetit me qëllimin e vetëm që të bllokojnë liberalizimin e vizave. Përkundrejt këtyre përpjekjeje, z. Rama ka ndërmarrë një aksion politik të paprecedentë kundër liberalizimit te vizave, kundër kësaj aspirate madhore të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Trashëgimtarët e Partisë së Punës dhe izolimit gjysmëshekullor kanë ndërmarrë një fushate shpifjesh kundër sigurisë së dokumenteve të identitetit, me qëllim bllokimin e liberalizimit të vizave, - deklaroi Bumçi. Sipas tij: Nuk ka gjë më dëshpëruese dhe shqetësuese për interesat e vendit kur shikon se sa poshtë ka rënë, se ku ka degraduar aksioni politik i z. Rama, duke ndërmarrë një sulm të egër kundër procesit të liberalizmit të vizave. Një politikan dhe udhëheqës është i tillë, sepse i frymëzon njerëzit drejt një ëndrre më të mirë, është e trishtë të shikosh se si z. Rama mundohet të mbijetojë jo duke sjellë shpresë dhe zhvillim, por duke kërkuar fatkeqësi për qytetarët e vendit të tij. Bumçi tha më tej se protestat e bojkoti i opozitës ka si qëllim që të pengohet integrimi i vendit. Sipas tij, ky qëndrim nuk është ai i socialistëve të thjeshtë. Deklarata për falsifikimin e dokumenteve të identitetit është vetëm akti i fundit në përpjekjet e tij 6-mujore të bojkotit dhe protestave për të penguar liberalizimin e vizave dhe procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Ky nuk mund të jetë qëndrimi i dhjetëra mijëra socialistëve dhe votuesve të PS-së, të cilët kanë fëmijët dhe familjarët e tyre në emigracion dhe dëshirojnë të lëvizin të lirë si të gjithë qytetarët e tjerë të Evropës, - tha më tej deputeti Bumçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›