Nismat e PS-së, tri mundësitë e zgjidhjes së ngërçit
Mazhoranca dhe opozita përballen sot në debatin e fundit mbi nismat ligjore të Partisë Socialiste, për të hapur kutitë e votimit. Në Komisionin e Ligjeve do të rinisë diskutimi për këto nisma, ndërsa ditën e enjte ato do të kalojnë për votim në Kuvend. Vetëm pak ditë larg votimit të nismës ligjore për hapjen e kutive, pritet që zgjidhja e mundshme e ngërçit të vijë nga një marrëveshje që mund të arrihet mes dy palëve. Burime nga të dyja partitë dhe ekspertë të fushës shohin disa rrugëzgjidhje. Sipas këtyre burimeve, mendohet se tri janë mundësitë kryesore për arritjen e një konsensusi. Kështu, shpresohet që të arrihet një konsensus që Komisioni Hetimor Parlamentar të ketë mundësinë e shikimit dhe verifikimit të dokumentacionit zgjedhor, por pa prekur fletët e numërimet apo pa tentuar të rinumërohen ato, pra të hapen vetëm një palë kuti, ato të materialeve zgjedhore. Në këtë mënyrë, respektohet tërësisht vendimi i gjykatës për rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit, ndërsa nga ana tjetër i hap rrugën opozitës dhe kauzës së saj për të bërë transparencë. Gjithsesi diskutimi i kësaj mundësie mund të hasë në qëndresë nga të dyja palët, pasi opozita ka kërkuar të shohë dhe të rinumërojë fletët e votimit, ndërsa mazhoranca i mbetet qëndrimit që në këtë kërkesë shkelet hapur Kushtetuta e vendit.
Përpara kësaj mundësie, mbeten dy të tjera që kanë të bëjnë me një interpretim të qartë ligjor nga organe të pavarura shqiptare apo të huaja. Mendohet që palët ti drejtohen Gjykatës Kushtetuese për interpretim ose Komisionit të Venecias. Mazhoranca i ka ofruar këto mundësi, madje kërkesa për në Komisionin e Venecias ishte një nga mundësitë e ofruara nga Këshilli i Evropës, që sipas mazhorancës, kreu i PS-së, Edi Rama, e refuzoi këtë propozim. Këtë mundësi e rrëzoi poshtë edhe deputetja e PS-së, Vasilika Hysi, duke argumentuar se nuk është e nevojshme kërkesa për interpretim në institucione, qoftë edhe ndërkombëtare. Ajo kërkoi hapjen e kutive. "Instrumentet ligjore duhet të jenë në Shqipëri, boll më me kërkesën e ndihmës së institucioneve ndërkombëtare. Asistenca ndërkombëtare është e nevojshme atëherë kur gjërat nuk janë të qarta, por në momentet kur gjërat janë të qarta, e zeza është e shkruar mbi të bardhë, vendimet e Gjykatës Kushtetuese shprehin qartë rolin e komisionit hetimor parlamentar, raportin e këtij komisioni me prokurorinë dhe gjykatën, mendoj se nuk është e nevojshme që të shkojë përsëri çështja në Komisionin e Venecias, sepse kjo është një zvarritje, kjo është për ta mbajtur krizën politike të gjatë", - tha Hysi. Gjithsesi, ajo pranoi se sot do të paraqiten amendime nga mazhoranca, por që sipas saj, amendimet duhet të mbështesin kërkesat e opozitës. Normalisht nëse do të paraqiten amendime, ne do ti marrim, do ti studiojmë, por uroj dhe shpresoj që mazhoranca e ka kuptuar drejt mesazhin e opozitës, - shtoi Hysi. Debati i sotëm në Komisionin e Ligjeve është mundësia e fundit për kompromis, pasi të enjten nisma e PS-së duhet të kalojë për votim në seancë plenare. Nëse nisma nuk kalon me konsensus në Komisionin e Ligjeve, atëherë nisma ligjore do të rrëzohet në Kuvend dhe opozita do të vijojë bojkotin e saj.