Bunkerët e diktaturës dhe breshka e Martin Camajt

Kopertina e librit Camaj i paskajuar
Gjithçka e kisha çuar në mend, por që do të vinte një ditë që teksti “Dranja” (breshka) e Camajt, një kafshë e papërsosun, njëherit edhe një simbolikë universale, që do të krahasohet me bunkerët e diktaturës, kurrën e kurrës nuk besoja se do të ngjiste. Pohimi i bërë nga Shaban Sinani në librin e radhës, si një botim i QSA, ku theksohet: “Në një shkallë të afërt me të gjendet leximi i aluzionit-ngjashmëria e fatit të breshkës që jeton e mbyllur nën zhguallin e saj njësoj si atdheu i shkrimtarit që mbyll vetveten nën betonin e bunkerëve” (2011: 64), na e kthjellon udhën e verifikimit institucional, por edhe një rrekje për t’ia hedhur vellon e bunkerizimit të letrares së autorit. Dranja – një tekst që i ka të gjitha shenjat për të qenë kryevepra e autorit, si një vepër moderne dhe më shumë se sa kaq, që është univers poetik dhe letrar, që ngërthen në vetvete, poezinë dhe prozën, jetën dhe amshimin, muzikën dhe artin e fjalës, e nuk ka shanse që të keqkuptohet derisa të pranëvihet edhe me bunkerët dhe bunkerizmin e sistemit monist, që e detyruan autorin të arratiset nga dheu i të parëve, porse me qasjet paragjykuese po ia trand shtatin edhe në amshim. Në këtë Shqipërinë tonë, të nakatosur në qëmtime të habitshme, zakonisht ngjasin të pangjarat dhe mandej ato bëhen mbizotëruese në jetën tonë. Kjo është bërë rregull që ngjet me mjediset akademike dhe shkencore. Edhe njëherë tjetër, në një libër të QSA, pra ngaqë kemi një botim institucional, po i kushtojmë më shumë vëmendje, me autor Shaban Sinanin, pra të një rasti krejt specifik dhe unik, që na zbulon prirjen dhe kahet e rrëshqitjes, të ekspertëve dhe të institucionit në honet e qasjeve anësore, në situatën e mosverifikimit të tekstit letrar, sepse edhe në librin me 22 autorë, po ashtu kemi një libër po të Shaban Sinanit dhe të QSA, që thuhet se, krahas shpërndarjes së titujve, mastera dhe doktorë, qëllon nganjëherë që të merret edhe me albanologjinë. Pikërisht kjo verbëri institucionale, ose mbase ka më shumë mundësi që ky solidaritet ndërinstitucional dhe bashkëmendimtar, na zbulon rrënjët e një klime të rrokshme të një mirëkuptimi zyrtar të studimeve letrare, për t’i veshur kostumet, me çdo kusht dhe çmim, që nuk i shkojnë Camajt. Kjo situatë bashkëpunimi, të paktën siç ta prezanton libri që ka vënë në qendër vetëm se zhanret e Camajt, kryesisht për ta shkërmoqur poetikën e Camajt, si ligjërim gjuhësor dhe letrar që nuk krijon asgjëkund gjasat e krahasimit me ikonat e diktaturës, me bunkerët e betonarmesë, çka përfaqëson vetëm një aspekt të deformimit të natyrës së shkrimit të Camajt. Një rrekje e tillë, e derdhur me tepri shkujdesje shkencërimi, pra të bësh sikur po bën shkencën e madhe, në librin me titullin Camaj i paskajuar/pa paskajore (që aq shumë e deshi dhe e ka lëvruar shkrimtari, ndonëse jo pak e pengon gjuhësisht dhe artistikisht për ta rreshtuar në radhët lëvruesve të standardit), me gjithë mëtimet e pagjasshme të Shaban Sinanit, që këso here na ka shpërfaqur me një krenari të habitshme, se breshka e autorit ngjan dhe përputhet edhe me bunkerët e monizmit, si një ngjashmëri e parrokshme, sido që ta dredhosh fjalën dhe interpretimin, sido që të kesh hedhur supeve titujt e akademizmit të mykur shqiptar, sido që ta qullosësh penën në të gjithë gjuhët e botës. Të bindur se më tepër po ecim në një rrugë pa rrugë, në shtigje të pashkelura, të një krahasimi krejt të pagjasshëm, mbase sa largësia e tokës me diellin, ndërmjet breshkës dhe bunkerëve, megjithatë po rrekemi që të cekim thelbin e logjikës formale, e cila ka të bëjë me disa momente:
A – Si breshka, ashtu edhe bunkeri, një mjet që përbëhet nga hekuri dhe betoni, kanë një formë rrumbullake, por që të dy kanë edhe nga një koracë të fortë.
B – Breshka dhe bunkeri janë dy simbole, ku breshka është një simbol universal, ndërsa bunkeri është një dëshmi e një marrëdhënieje ushtarake, e një kohe të caktuar.
C – Formalisht, breshka dhe bunkeri, të dyja simbolet fillojnë me të njëjtën germë, ndonëse rastësia gjuhësore nuk na ndihmon që të afrojmë pangjashmëritë.
Në rrekjen e krahasimit midis breshkës dhe bunkerit, si një eksperiment i dështuar, të paktën nisëm të kuptojmë për rrugët e kërkimit të studimeve zyrtare të shqipes, që nuk bëjnë gjë tjetër, por vetëm se problemet dytësore në marrëdhënie me letërsinë i vendosin si kryesore, ku përgjithësisht biografiken dhe zhanroren, etnografiken dhe sociologjiken ia kundërvënë, sërish dhe pa ndërprerje, tekstit letrar. Dranja-breshka e Camajt, ka vlerën e vet, unike dhe të mjaftueshme me veten, po kaq me premisat letrare, të cilat ndikojnë për të hyrë në marrëdhënie me universin letrar. Përqasja e breshkës me bunkerin, tashmë besoj se u bindëm sadopak, e në mos u bindëm të paktën zumë të dyshojmë, është gati i pamundur që të ngjasë. Pamundësia e përqasjes së tyre, pra e breshkës frymor me bunkerin një bashkim i betonit me hekurin, gjithnjë në këtë qasje ku ka njëfarë kuptimi, që të vijohet të flitet mbi to, lidhet:
Së pari: Me përqasjen e breshkës, si një gjallesë dhe shenjë universale, duke u përshtatur dhe mbijetuar në të gjitha rrethanat me bunkerin e akullt dhe të frikshëm, pra, me një gjësend krejt të vdekur qysh në lindje, i cili në fakt paraqet dëshminë më të qartë të rrugëve të mbrapshta në të cilat na futi sistemi monist, prej të cilit shkrimtari u arratis e tani po e gardhojmë në rrathët e bunkerizmit të sociologjizimit të paskajuar/pa paskajoren që e lëvroi, pra duke ia ndaluar paskajoren, shenjën unike të autorit.
Së dyti: Materiali përbërës, ku breshka bashkë me kaftallin, që të fanitet si copë dheu, bart mbi vete gjakun, mishin, eshtrat dhe koracën, që e ka me funksion mbrojtës, ndërsa bunkeri, që përbëhet nga hekuri dhe betoni, nuk e di se çfarë lënde përfaqëson, në marrëdhënie me jetën, po kaq si vijim i pranisë së një atavizmi ideologjik të pastër.
Së treti: Breshka me pamje të çuditshme dhe mjerane, që të kujton dinozaurët e hershëm, që megjithatë vijon ende ta tërheqë rrëshqanas vatrën e vet, është e përlindur nga Zoti apo nga natyra, ashtu si dhe vetë qenia njerëzore, kurse bunkeri dihet se është një krijesë monstruoze e vetë njeriut, më shumë të rrëzuar dhe shkalluar nga mendja prej ideologjisë së marrëzisë utopike, si dhe i pushtuar nga iluzioni marrok, se me anë të bunkerit e gjeti shpëtimin nga lufta bërthamore.
Së katërti: Breshka, krejt ndryshe nga bunkeri i palëvizshëm që qëndron stoik, lëviz pa pushim dhe madje kapërcen kufijtë e tokës, qiellit, ujit, kufijtë e perandorive dhe shteteve, çka mbithekson karakterin universal të saj, si një dëshmi unike dhe e frikshme dikur, e tani e transformuar dhe e përmbysur nga shkëlqimi i hershëm, deri në dhimbje dhe bjerrje të forcës.
Në kushtet e pamundësisë së përqasjes së breshkës me bunkerin, pra të një situate të pamundur, që të ndeshësh në pika përputhshmërie, madje edhe nëse je i pajisur me fantazi të ndezur, edhe sikur të kesh krahët e lehtë të Pindarit për të fluturuar në mjegull, sërish nuk arrin që të gjesh asnjë shans të përqasjes së tekstit Dranja- breshka e Camajt, me bunkerët e kohës së monizmit, ikonën dhe simbolin e diktaturës, ku burra e gra, pleq e kalamaj, ishin pjesë e popullit ushtar, kur gjithçka ishte bunkerizuar nën pushtetin ideologjik dhe sociologjik të kohës. Camaj, me mundime dhe rreziqe, iku më herët nga ky rrethim i mbrapshtë me tela me gjemba dhe bunkerë, e nuk ka gjasa, as teorike dhe formale, që vetëm pse kështu dëshirojnë korifenjtë e realizmit socialist ose shqytarët e zellshëm të tij, pra që ta gardhojnë në telat me gjemba dhe ta fusin nëpër bunkerët e njësuar të realizmit socialist, letraren e ti