Burg për dy gardistët, apeli jep 1vit burg për Prendin, 3 vjet për Llupon
1 vit burg për ish-kreun e gardës Ndrea Prendin dhe 3 vjet burg për gardistin Agim Llupon. Ky është vendimi që gjykata e apelit dha pasditen e sotme për dy të akuzuarit për vrasjen e tre demostruesve në ngjarjen e 21 janarit në kryeqytet, duke ndryshuar kështu vendimin e gjykatës së Tiranës, e cila i pati shpallur të pafajshëm.
Kështu, treshja gjyqësore e Apelit e përbërë nga relator Ervin Metalla dhe anëtarë Agim Bendo e Evgjeni Sinoimeri vendosi shpalljen fajtorë të të dy të pandehurve për akuzën e vrasjes nga pakujdesia.I pafajshëm nga kjo çështje doli i akuzuari i tretë nga prokuroria, shoferi i Prendit, Margarit Kume.
Avokati mbrojtës i Ndrea Prendit, Genc Gjokutaj dhe Besnik Çerekja i Agim Llupos, e cilësuan vendimin e apelit të pabazuar në ligj, ndërsa shtuan se do të ndjekin të gjithë hapat për ankimin.
Vendimi është i pabazuar në ligj. Ne do ndjekim hapat e ankimimit, do jetë gjykata supreme që do të thotë fjalën e fundit. Vendimi është i pabazuar. Ne jemi të qetë pasi do ndjekim hapat e duhur ligjorëu shprehën ata.
Dje në Gjykatën e Apelit, Prokuroria kërkoi të prishet dënimi i Gjykatës së Tiranës dhe të dënohen me burg dy gardistët që akuzohen për vrasjen e protestuesve.
Ndrea Prendi të dënohet me 23 vite burg, Agim llupo të dënohet me 25 vite burg,- tha prokurori Hajdari.
Sipas prokurorëve ekzistojnë prova balistike që provojnë se ish-kreu i Gardës, Ndrea Prendi vrau Faik Myrtajn sepse një copë predhë e gjetur në trupin e Myrtaj përkonte me plumbin që ka qëlluar nga pistoleta e Prendit.
Ndërsa gardisti Agim Llupo, sipas prokurorisë vrau protestuesit, Ziver Veizin dhe Hekuran Dedën. Prokurori u shpreh se gjykimi i çështjes në Shkallën e Parë të gjykatës ka qenë i paplotë dhe nuk janë marrë parasysh provat. Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë i nxori të pafajshëm gardistët për ngjarjen e 21 janarit të vitit 2011.