E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burgaj- Manganelli: Shqipëri-Itali bashkëpunim në luftën kundër krimit

TIRANE- Policia shqiptare dhe ajo italiane do të forcojnë më tej bashkëpunim mes tyre në luftën kundër krimit.

Zyra e shtypit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit bëri të ditur sot se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, priti në një takim, një delegacion nga Policia e Shtetit të Italisë, kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Italiane, Antonio Manganelli dhe Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë Italiane, Francesco Cirillo.

Në qendër të takimit të zhvilluar mes drejtuesve të lartë të policive të të dy vendeve ishte forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit të shkëlqyer që ekziston ndërmjet Policisë shqiptare dhe asaj italiane si dhe nënshkrimi i një marrëveshje bashkëpunimi mes tyre.
Kjo marrëveshje konsiston në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy policive për mbikëqyrjen ajrore dhe detare, me synim monitorimin e territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, si dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, duke vlerësuar rëndësinë e këtij takimi dhe nivelit të lartë të bashkëpunimit ndërmjet policive të të dy vendeve, theksoi se "është një tregues shumë i favorshëm mes dy organizatave homologe krijimi i besimit reciprok dhe heqja e barrierave të mëparshme që kanë qenë pengesë në arritjen e treguesve të dy policive. Tashmë nuk flitet më për mosbesim, nuk flitet më për mungesë dëshire dhe vullneti, gjithçka është në favorin tonë dhe ne presim rezultate akoma më pozitive në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme”.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Italiane, Antonio Manganelli, shprehu kënaqësinë dhe vlerësimin për bashkëpunimin e ngushtë mbi 15 vjeçar ndërmjet strukturave policore të dy vendeve miq. "E kemi nisur bashkëpunimin midis nesh në kohë shumë më të vështira, kemi zhvilluar një bashkëpunim në fushën e kontrollit të territorit, të investigimeve, të inteligjencës dhe në krijimin e grupeve të përbashkëta të punës që kanë ditur të interpretojnë më së miri interesat e të dyja vendeve. Tani jemi këtu për të studiuar forma të reja të bashkëpunimit dhe për t’i realizuar ato brenda një periudhe të shkurtër", theksoi z. Manganelli.
(ma.ar/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Burgaj- Manganelli: Shqipëri-Itali bashkëpunim në luftën kundër krimit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›