Burri i Mançës tek "Marubi"
"Burri i Mançës" (Man of La Mancha), prodhim i vitit 1972 me regji të Arthur Hiller-it , shfaqet sonte në orën 19.00 në kinemanë e Akademisë së Filmit dhe të Multimedias "Marubi". Është historia e Migel Servantesit i burgosur nga inkuizicioni spanjoll për shkak se ka fyer kishën, dhe e shpërthimit të tij me krijimin e një figure legjendare si Don Kishoti i Mançës, kalorësi që e sheh botën ashtu siç duhet të jetë dhe jo ashtu siç është. Kjo "skizofreni" shpirtërore e shpie në luftëra imagjinare me mullinjtë e erës.
Filmi i Hillerit është bazuar në muzikalin e Broadëay-t me të njëjtin titull, e regjisorit Dale Wasserman, me muzikë të Mitch Leigh dhe tekst të Joe Darion. Sigurisht edhe versioni skenik është mbështetur në romanin klasik "Don Kishoti i Mançës" i Migel Servantesit.
"Burri i Mançës" është prodhuar në Itali dhe Amerikë. Në rolet kryesore interpretojnë aktorë të mirënjohur si Peter O'Toole si Servantesi dhe Don Kishoti, James Coco si shërbyesi i Servantesit,Sanço Pança dhe Sofia Loren si Dylqinja e Tobozës.