Burri i pabesueshëm i Çervenakës
I martuar 18 herë, do të rimartohet në moshën 60 vjeçare
Në këmbët e malit të Çervenakës pranë një përroi, ndodhet një ish-ndërtesë e kapanonit të aksionistëve gjatë ndërtimit të hekurudhës Librazhd - Guri i Kuq. Kjo ndërtesë një katëshe, prej shumë vitesh është përshtatur në një banesë të thjeshtë. Brenda kësaj banese, jeton një burrë rreth 60 vjeç, Nevrus Demollari. Disa ditë më parë, një miku im, fqinjë me Nevruzin, më tha: - Eja dëgjoje Lulën (kështu i thonë në fshat Nevruzit) se ka një jetë interesante.
Nevruz Demollari është një burrë i zakonshëm me një trup të drejtë, muskuloz dhe shikim të mprehtë. Tymos cigare njëra pas tjetrës. Ai ka një jetë shumë të veçantë.
“Për mua, - na hap bisedën Lula, - kush mendon se jam i lumtur në këtë jetë, i them se gabohet. Mua më ka shkuar jeta rrokullimë…”.
Lula, ndoshta ka të drejtë. Edhe pse, të gjykosh nga shifrat, nuk duket kështu. Lula është martuar plot 18 herë. Me 14 nga gratë e tij ka bërë celebrim, ndërsa për 4 të tjera, jo. Sepse ka jetuar me to vetëm 5-6 muaj.
“Natyrshëm do të pyesësh ti, pse kaq shumë gra në jetën tënde , - thotë Lula shtruar- shtruar.. Ja poia fillojmë me radhë..”
Martesa e parë e këtij personazhi të pazakontë ka qenë në vitin 1971. “Sapo kisha mbaruar ushtrinë, nusja ishte nga Lushnja, quhej Violeta. Ishte vërtet vajzë e mirë dhe filluam ta donim njëri-tjetrin. Madje lindëm edhe një vajzë, por ajo fatkeqësisht na vdiq pak muaj pas lindjes. Kaluam mbi një vit e gjysmë jetë të qetë…”.
Por Violeta paskësh qëlluar me një baba disi të prapë. Lula e quan “batakçi”. Sipas tij, presioni i babait, kishte bërë që nusja e tij e parë, të ndahej prej tij e të martohej me dikë tjetër në një fshat të Lushnjes. Sipas Lulës, “ai tjetri kishte paguar, sepse babai i Violetës njihej në Lushnjë si njeri i keq”.
Pas kësaj, “me rekomandime dhe miqësi” siç shprehet Lula, u martua me një grua nga Pogradeci. “E quanin Leni, I kishte vdekur burri, dhe ishte me tre vajza. U josha ta marr që me anën e saj të bëja pashaportizimin në qytetin e Pogradecit, në kohën e diktaturës një fshatar të bënte pashaportizimin në qytet ishte një ëndërr, - rrëfen 60-vjeçari.
Pas dy vjetësh, vjen ndarja e dytë. “Ishte tekanjoze. Kishte dhe tre vajza të vogla, nuk ishte e lehtë”. Dhe Lula ndez cigaren tjetër.
“Më thanë të afërmit të marrim një vajzë nga fshati se ato janë të vojtura dhe janë për shtëpi. Mora një vajzë nga Trebinja e Mokrës, Nebijen, por pas një viti u ndamë, nuk piqnim gjëkundi. Pa kaluar disa muaj më rekomanduan një grua nga një fshat i thellë i Hondishtit në Mokrën e Sipërme. E quanin Hilmie, tek unë erdhi shtatzënë. Lindi një djalë, ia vumë emrin Flamur. U ndamë pas një viti, them se kot. Për grindje të vogla…”
Në vitin 1978, jeta e këtij 60 vjeçari të çuditshëm merr një rrjedhë tjetër. Ai burgoset dhe shkaku janë sërish gratë. “Një shok nga Cërriku më rekomandon një vajzë, Shpresa Ç. Më ka sjellë jo pak telashe. Kaluam mirë më shumë se një vit. Në vitin 1979 fare pranë shtëpisë sonë kalonte hekurudha dhe Shpresa u pleks me një teknik ndërtimi të hekurudhës. Tradhtinë nuk e duroja. Bëra një thikë me majë tek kovaçi dhe vendosa të hakmerresha…”.
Për fat, gruaja vetëm u plagos.
“Gjyqi më dënoj vetëm 7 vjet burg duke e quajtur veprimin tim në kushtet e një krize nervore të kapjes në flagrancë. Fillimisht më çuan në Bulqizë, aty qëndrova një vit e gjysmë më pas më transferuan në Papër të Elbasanit, e më pas në Përparim të Sarandës. Unë punoja në burg si kafshë pune. Nga kjo m’u ulën 11 muaj burg. Pas 6 vjet, dola i traumatizuar. Mendova që gjëja më e mirë ishte t’i përvishesha punës. Fillova të punoj në stacionin e trenit si hamall. Një i njohur nga Tirana më prezantoi Vjollcën. Ishte e përkryer. Kaluam gati dy vjet shumë të lumtur. I thashë dhe për burgun dhe ajo m’i fali të gjitha. Kishte një fisnikëri që më kishte munguar gjithë jetën, por një vajzë dajoje e saj dhe burri i saj oficer në Ministrinë e Brendshme ia mbushëm mendjen me broçkulla për mua. Nuk ishte e thënë, u ndava sërish”.
Martesat pa fund të këtij njeriu, vijojnë njëra pas tjetrës, në një histori që sikur të mos ishin detajet dhe hollësitë që ky 60- vjeçar i mban mend mirë, ndoshta do tingëllonte e pabesueshme. Në martesat e tjera na tregon se u lidh edhe me një cigane, me të cilën lindi një djalë. Dhuna ndaj këtij të fundit nga vetë e ëma (sipas Lulës i theu dy gishta) u bë shkak grindjeje e më pas ndarjeje; e pastaj historia vijon pa fund: martesë me një fatorino treni, pastaj me vejushën e një marangozi nga Pogradeci. Pastaj vjen 1997. Martohet me Mimozën, me të cilën kaloi rreth 10 vjet të jetës së tij. Më në fund një lidhje e gjatë. Por,
“Ishte me dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë të rritur. Pas pak kohësh djali iku ushtar, ndërsa vajza vazhdoj shkollën e mesme në Hudënisht. Ishte e stresuar vazhdimisht, madje tentoi të vetëvarej. Gjithë ditën shikonte telenovelat në televizor. Fill pas ushtrisë djali u lidh me një vajzë në Tiranë dhe u martua me të. Pas kësaj martese dhe ai tërhoqi të ëmën Mimozën dhe motrën e tij që sapo mbaroi shkollën e mesme, duke më lënë mua vetëm fotografitë”
Mimoza ishte gruaja e 18 në listën e Lulës. Tani ai ka ngelur fillikat. Bashkëfshatarët, të cilët historinë e tij, ta tregojnë duke qeshur, të thonë që e shohin shpesh kur ndër teshat të cilat i lan vetë. Por Nevruzi nuk e duron vetminë.
“Vetmia të vret si plumbi” – thotë dhe ndez cigaren e radhës. Ndaj është i vendosur të rimartohet. “Ishte një grua nga një fshat i Mokrës së Poshtme nga Losniku, por m`u duk e lodhur. Njerëzit e mi me kanë rekomanduar dy gra të tjera, njëra nga Berati dhe një nga Gramshi Të shohim, nuk e di si do të eci fati im”.
Pyesim pak bashkëfshatarët për Lulën. Ata na tregojnë se Lula “pavarësisht tersit me gratë” është një njeri punëtor. Ia dinë edhe llogaritë. Ka patur 3 dynymë tokë, një pjesë e shiti dhe rregulloi shtëpinë, i kanë mbetur dhe 1800 m. Na thonë dhe diçka që Lula nuk na e tha. Vetëm dy nga gratë e shumta që ka patur, i kujton shpesh, gruan e parë dhe Violetën dhe Vjollcën nga Tirana. Për të tjerat nuk para ka qejf të flasë.
Lula punon nga mëngjesi në darkë.
“Marrçdo pranverë një tufë me dele dhe i shes në dimër. Fitoj goxha, madje bëj dhe dru në mal me mushka dhe i shes. Më shikon mua, 60 vjeç burrë udhëtoj tre orë deri në Jamë të Homezhit që bëj dru, - më thotë duke më parë në sy. Në mes të pyllit ndjehem mirë, vetëm aty nuk më prishet gjaku.
Bashkëfshatarët na thonë dhe diçka tjetër interesante. Lula ka qenë i pari në shkollë sidomos në matematikë. U zgjidhte problemat edhe shokëve të klasës. Ka qenë edhe valltar i dalluar dhe merrte pjesë në grupin artistik të rrethit që konkurronte në festivalin folklorik të Gjirokastrës. Nuk është sëmurë thuajse kurrë në jetë, siç na tregon vetë, madje nuk ka pirë ndonjëherë ilaçe.
Me historitë e tij, mund të rrinim gjatë, por është ai vetë që i jep bisedës fund: “Boll tregova o gazetar. Ky është fati dhe me fatin nuk hahesh dot.”