Pranga 78-vjeçarit, akuzohet se ngacmoi minorenen
FIER- Një i moshuar 78 -vjeçar nga Libofsha e Fierit është arrestuar nga policia pasi akuzohet se ka ngacmuar seksualisht një vajzë 12- vjeç. Ka qenë një denoncim i bërë nga prindërit e vajzës që ka shpënë pas hekurave të qelisë Thoma Marinin, babanë e katër fëmijëve, i cili rezulton i ndarë nga bashkëshortja e tij prej 14 vitesh. Sipas policisë, ai dhe vajza jetojnë në të njëjtin pallat por gjithçka duhet të verifikohet nga hetimet e mëtejshme.
I moshuari, sipas denoncimit të bërë nga prindërit e vogëlushes,ka tentuar të bindë vogëlushen me të holla për të kryer marrëdhënie seksuale me të. Marini ka nxjerrë nga xhepi një monedhë dhe me të ka dashur të joshë vajzën. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur përballë banesës së vogëlushes. E mitura ka treguar gjithçka tek prindërit e saj, të cilët nuk kanë hezituar por e kanë denoncuar të moshuarin fqinj të tyre në polici. Kaq është dashur dhe një grup i gatshëm i policisë ka shoqëruar plakun në polici. Ai nuk ka pranuar një gjë të tillë dhe ka mbetur i befasuar nga pyetjet që janë bërë nga oficerë të policisë gjyqësore. Por këta të fundit, pas marrjes së miratimit në prokurori i kanë hedhur prangat. Persona që njohin të moshuarin kanë pohuar dje se ai është një përdorues i rregullt i alkoolit dhe për këtë arsye është ndarë nga e shoqja.Nga ana e saj, policia nuk ka dhënë asnjë detaj tjetër për ngjarjen. Ajo ka shoqëruar në komisariat edhe prindërit e të miturës, e cila nga ana e saj është marrë në pyetje në prani edhe të psikologëve në lidhje me ngjarjen e ndodhur pasditen e djeshme.