E Diel, 1 Nëntor 2026

Burri i shtetit dhe i malësisë flet një herë

dokuNga dr. Skënder Demaliaj

Pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 23 qershorit dhe nga etja për pushtet të përjetshëm, Berisha e ka humbur arsyen dhe gjykimin normal.

Çfarë thotë paradite, e kundërshton pasdite. Çfarë thotë sot, nuk e thotë nesër.

Në mëngjes tha se nuk do të njohë zgjedhjet e 23 qershorit, në mbrëmje paralajmëroi kryeministrin e ri, Edi Ramën, se nuk do te qeveriste dot me votat e vjedhura.

Pra de facto e njohu si fitues të zgjedhjeve dhe si kryeministër të ardhshëm.

Tre ditë pas zgjedhjeve deklaroi se e pranonte humbjen dhe se ai ishte përgjegjësi kryesor i saj dhe jepte dorëheqje të parevokueshme nga detyra e kryetarit të Partisë Demokratike.

Pak ditë më vonë tha se do të punonte si luan 18 orë për fitoren e PDsë.

Se pse do të punojë, si do të punojë, për llogari të kujt do të punojë, me çfarë statusi do të punojë, mbetet të shihet në ditët në vazhdim.

Për qytetarët shqiptar nuk ka punuar asnjë minutë, por ka punuar vetëm për pushtetin e tij, për familjen e tij, klanin dhe oborrin e tij.

Është kjo arsyeja që shqiptarët, me votën e tyre plebishitare, e përzunë nga qeverisja, e nxorën me shkop nga zyra e kryeministrisë dhe në pension politik.

Analistë dhe artikujshkrues pranë Berishës e argumentojnë dorëheqjen e tij si një veprim prej një burri shteti dhe për interesa kombëtare.

Burri i shtetit dhe i malësisë flet një herë, e mban fjalën dhe nuk kakarisë çdo ditë.

Në konferencën për shtyp pas zgjedhjes së Lulëzim Bashës si kryetar partie, Berisha deklaroi se do të punojë fuqishëm në krye të demokratëve për fitoren e ardhshme të PD-së.

Natyrshëm lind pyetja: me çfarë statusi do të jetë në krye të demokratëve, a ka dhënë vërtet dorëheqjen si kryetar i PD-së, cili do të jetë ndikimi i tij mbi kryetarin e ri dhe lidershipin e ri.

Deklarata dhe prononcime te tilla publike, në konferenca shtypi, në faqen e tij në Facebook, në biseda me përfaqësues të PD-së -  lënë hije dyshimi se ai realisht dhe de facto është tërhequr nga drejtimi i PD-së.

Për cilat interesa kombëtare e kanë fjalën analistët dhe artikullshkruesit pranë Berishës?

Sali Berisha nuk ka qenë asnjë ditë në mbrojtje të interesave kombëtare, përkundrazi ka punuar me të gjitha energjitë e tij, me mish e me shpirt kundër interesave kombëtare.

Berisha i ndau shqiptarët në njerëz të PD-së dhe në socialistë, në të majtë e në të djathtë, në veriorë dhe në jugorë.

Ky është arkitekti i urrejtjes dhe i përçarjes së shqiptarëve, arkitekti i shkatërrimeve në Shqipëri në këto 22 vjet.

E shiti tokën shqiptare (detin), u grabiti shqiptarëve gjënë më të shtrenjtë lirinë.

U vodhi votat shqiptarëve sistematikisht, duke qenë ilegjitim në qeverisje, i degdisi shqiptarët në të katër anët e globit, duke mos pasur mundësinë të ndërtojnë jetën e tyre në atdheun e tyre të dashur, dekoroi e u ngriti monumente tradhtarëve e kolaboracionistëve që ishin kundër interesave kombëtare, shkatërroi shëndetësinë dh e arsimin, vrau demonstrues të pafajshëm, grabiti dhe përvetësoi me klanin e tij prona dhe pasuri kombëtare.

Mbi të gjitha rriti nivelin e korrupsionit, nxiti dhe lulëzoi krimin kundër njeriut e nuk ndërtoi asnjëherë një shtet ligjor. Kombi është një shpirt, një parim shpirtëror – thoshte Ernest Reman.

Të mbrosh kombin tënd do të thotë ta zhvillosh atë, ta bësh një vend tërheqës për të jetuar qytetarët e tij, të mbrosh dhe të zhvillosh personalitetin e tyre, ti bësh njerëz me dinjitet e të vlerësuar edhe nga të huajt.

Asnjë nga këto nuk i ka bërë Berisha gjatë qeverisjes së tij.

Ditën që Berisha lëshoi thirrjen Përpara për mbrojtjen e votës së lirë në faqen e tij në Facebook, vërshuan me mijëra mesazhe nga fansat e tij, të cilët kërkonin të merreshin armët e të rrëzohej me forcë mazhoranca e re, e dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit.

Thirrjet e Berishës këto ditë e kanë acaruar dhe ndezur luftën politike, po cenojnë stabilitetin politik të brishtë, paralajmërojnë dhunë dhe terror dhe mjete joparlamentare dhe jodemokratike nga opozita e Berishës.

Këto thirrje i dhanë zemër edhe kamikazëve të Berishës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të hapur kutitë e votimit në kundërshtim me Kodin Elektoral.

Ligji i ka të gjitha brenda: moralin, transparencën, thelbin e problemit dhe përvojën.

Askush nuk ka të drejtë ta shkelë e ta deformojë atë me pseudoargumenta dhe pseudoprova.

Në çvend të botës demokratike ka ndodhur që pas një muaji nga dita e zgjedhjeve, pasi e ke pranuar humbjen, të kërkosh rinumërimin e të gjitha votave?!

Kush na garanton se pushteti i Berishës me kamikazët dhe sejmenët e tij nuk ka futur duart në kutitë e votimit në Lundër, siç bëri me zgjedhjet në Tiranë më 2011-ën.

E kuptoj hallin e madh të Berishës dhe inatin e madh me qytetarët e tij që e refuzuan totalisht atë.

Ky kërkon të dalë sa më i larë si humbësi i madh i zgjedhjeve me pretekstin se mi vodhën ato.

Është i lexueshëm qëllimi i tij djallëzor: të mos e lerë të qetë mazhorancën e re të punojë për të realizuar programin e saj qeverisës.

Është i qartë  mesazhi që ai i përcjell elektoratit të tij: vidhni edhe ju, akoma më shumë se deri tani në zgjedhjet e ardhshme se ne na i vodhën votat dhe ne i lejuam të qeverisin, atëherë përse ne të mos ua vjedhim votat dhe ata të na lejojnë të qeverisim.

Berisha duke u përpjekur të njollosë zgjedhjet kërkon të ulë kredibilitetin e qeverisë së re para ndërkombëtarëve e pse jo të pengojë sa të jetë e mundur që Shqipëria të mos marrë statusin  kandidat për në BE.

Me qëndrimin e tij ndaj zgjedhjeve këto ditë, me arrogancën e tij dhe të kamikazëve në KQZ, Berisha po dëshmon edhe një herë se nuk është i përgatitur as psikologjikisht, as juridikisht, as realisht për të lënë pushtetin e për të zbritur nga kali.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›