Klonimi është bërë
Dje ish- kryetari i PD-së, z. Sali Berisha, ishte i pari që formuloi urimet më të përzemërta të tij për kryetarin e ri të opozitës së re (duartrokitjet në sallë të krijojnë përshtypjen që atje, në gjirin e PD-së, ka njerëz që kujtojnë të jenë ende në pushtet).
Formalisht mund të të duket që kemi të bëjmë me një ritual: lideri historik përshëndeti liderin e ri. Por, në fakt, kemi të bëjmë me një rast tjetër, atë të urimeve më të përzemërta që i drejton klonuesi, klonit të tij. Laboratori ishte po ai, madje dhe parulla: Ne jemi ndryshimi. Si për klonuesin, ashtu dhe për klonin e tij.
Laboratori i PD-së, ndoshta qysh nga viti 1994, është shndërruar në një laborator klonesh. Atje janë klonuar liderë për dekor lidershipi, kryetarë( Ed Selami/ Tritan Shehu), nënkryetarë, sekretarë, ministra, zëdhënës shtypi, televizione, biznese, analistë. Ata që e njohin ose që e kanë njohur PD-në nga afër dhe nga brenda e dinin shumë mirë paraprakisht që, dhe në rastin e garës për kryetarin e ri, kishim të bënim me një klonim. Madje dhe e dinin që klonimi, si proces, do të merrte një mbështetje plebishitare.
Siç ka bërë dhe herë të tjera, kështu e vazhdimisht, z. Berisha si shef laboratori klonimesh, prodhoi tezën dhe antitezën e tij, z. Lulëzim Basha dhe z. Sokol Olldashi. Por, duke i mbajtur të gjitha pushtetet brenda PD-së, me qëllim që po ai vetë të bënte sintezën. Vetëm se në këtë rast, antiteza, z. Olldashi, jashtë skemës së laboratorit, e konsideroi procesin të deformuar. Dhe, siç ndodh zakonisht në raste të tilla, z. Berisha, që me sa duket e dinte pozicionimin e tij qysh më parë, doli dhe i dha përgjigjen. Heshtja e z. Olldashi për procesin e klonimit, natyrisht që do të respektohej. Në përputhje me rregullat e laboratorit. Ai mund të bëhej nënkryetar ose dhe njëkohësisht kryetar i grupit parlamentar me heshtjen e tij. Mirëpo z. Olldashi duket se nuk e kapërdiu këtë dhe mori hakmarrjen: z. Berisha i tha atij që do të jetë vetëm një deputet në parlament.
Ndërsa, kryetari i ri i PD-së, qysh në daljen e tij të parë si i tillë, vërtetoi që është klon. Diskursi i tij i parë politik si kryetar i ri ishte sipas shprehjes :bëmë klonues të të ngjaj! Madje dhe portreti. Tani e tutje nuk do të kemi më tek ai Miss Buzëqeshjen, me të cilat ishin dashuruar kroniçkat rozë të kryeqytetit, por do të kemi një Mister Ububuja. Me gjuhën popullore, sot e tutje do të kemi një opozitë që vikat nga maja e Bjeshkëve të Namuna. Me gjuhën shkencore, sot e tutje do të kemi një opozitë skizofrenike. Shenja më e sigurt që klonimi ka qenë i suksesshëm.
Këtu na duhet të bëjmë një parantezë. Një parantezë që duhet kuptuar mirë nga kryeministri i ri dhe nga bashkëpunëtorët e tij për karakterin e opozitës së ardhshme. Me komisionin e tij gjysmak të zgjedhjeve, me rinumërimet, z. Berisha sajoi një shtrat për tezën e tij, atë të deformimit të zgjedhjeve. Spektakli i rinumërimit kishte vetëm këtë qëllim. Njollosjen. Pra, pavarësisht sa paradoksale është, ai e ka krijuar tezën e tij. Së cilës do ti përgjigjet dhe antiteza: do të kemi një opozitë skizofrenike, njëlloj siç e kishte z. Nano pas vitit 97. Nëse dhe kësaj radhe socialistët dhe progresistët nuk do ta ekzekutojnë në qeverisje votën si votë kundër korrupsionit, (Rruga e Kombit), si votë kundër fabrikës së vdekjes (Gërdeci), si votë kundër vrasjeve të opozitës (21 Janari), vetëm se do të riciklohet opozita berishiste e viteve 97-2005.
Klonimi është bërë. Dhe nëse ka ende naivë që besojnë te opozitat konstruktive, do tu duhet ta kuptojnë, po dhe tu themi, madje tua themi për ditë, që klonimi është bërë. Do të kemi një opozitë berishiste jo pa Berishën, por me Berishën dhe me një kryetar tjetër. Nuk duhet harruar që te PD-ja Berisha ka pasur dhe kryetarë të tjerë partie të cilët, kur e harronin në ndonjë çast të mjerë që ishin aty sa për formë, ose qanin te lokali te Selvija (Ed Selami), ose hanin prasin në Lushnjë (Tritan Shehu). Kjo, natyrisht, vlen dhe për klonin e ri, që është aq i ri, sa që të vjen keq që ska pasur asnjë mik tia thoshte këto gjëra që kanë ngjarë në shtëpinë tonë të madhe të demokratëve.
Në fakt, jemi në pritje jo për fatin e klonit të ri. Ai është madhor tani, madje shumë madhor, për ti marrë vendimet vetë. Pra ka vendosur të jetë klon dhe si të gjithë klonet, është i vetëdijshëm se nuk do të ketë personalitet. Ne jemi në pritje të personalitetit të shumicës së re. E cila, edhe pse z. Berisha, që nga laboratori i tij, e ka bërë dhe tezën dhe antitezën për stilin e opozitës së tij, e ka të gjithë pushtetin të bëjë sintezën me të. Pra, të ekzekutojë votën popullore kundër tij.
