E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burri vret gruan dhe arratiset bashkë me fëmijën 2 vjeç

Dashamir Biçaku

TIRANË- Një burrë vrau dje në mesditë gruan që bashkëjetonte në sy të fëmijës dy vjeç dhe më pas u larguar nga shtëpia së bashku me vajzën e mitur. Pak orë më pas policia gjeti vajzën, të cilën autori i krimit e kishte lënë tek disa njerëz të tij. Dyshimet e para janë se krimi ka ndodhur për motive xhelozie. Viktima është 27 vjeçarja Edlira Doçi. Vrasësi dyshohet se është Ismet Hysaj, 40 vjeç nga Tropoja.

Vrasja

Ngjarja ndodhi dje në mesditë rreth orës 12:40 minuta, në rrugën Berit Beker, në afërsi të Doganës së Tiranës, kur Ismet Hysaj, punonjës i një shoqërie të sigurisë fizike kryeqytet ku edhe banonte, qëlloi disa herë më thikë, Edlira Doçin 27 vjeçare, gruan me të cilën bashkëjetonte dhe kishte një vajzë të mitur dy vjeçare. Pasi vrau të shoqen duke e qëlluar disa herë me thikë, autori i dyshuar i krimit mori të bijën dy vjeçare dhe bashkë me të u largua nga shtëpia që kishte marrë me qera. Së bashku me vajzën ai ka shkuar në shtëpinë e të afërmve që jetonin në zonën e Kombinatit në kryeqytet. Aty ka lënë vajzën dhe më pas u largua nga kryeqytetit me qëllim për ti shpëtuar arrestimit të policisë.

Policia

Gjatë kësaj kohe policia kishte mësuar për ngjarjen nga një telefonatë e mbërritur në sallën operative. Menjëherë në adresën e lajmëruar mbërritën disa shërbime dhe patrulla të komisariatit nr.6. Trupi i gruas ndodhej ende në banesë dhe ajo nuk kishte shenja jete. Nga këqyrja e trupit të gruas, policia konstatoi se kishte marrë së paku katër plagë të rënda në trup, çka i kishin shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Në vendin e ngjarjes, policia ka gjetur dhe armën e krimit, një thikë, e cila është administruar nga ekspertët në cilësinë e provës materiale, bashkë me disa rroba të gjakosura si dhe disa kampione gjaku. Pas kryerjes së veprimeve nga policia në vendngjarje, trupi i gruas u përcoll për në morgun e Tiranës, për ti kryer autopsinë, për të përcaktuar edhe ligjërisht shkakun e vdekjes së saj.

Hetimi

Pas hetimeve të kryera në vendin e ngjarjes, policia konfirmoi se shkak për ngjarjen kishte shërbyer një grindje për motive xhelozie, mes çiftit që bashkëjetonte prej disa vitesh. Gruaja e dytë e Hysës, punonte si kameriere në një lokal në qendër të Tiranës, në zonën e ish- bllokut, dhe të shtunën ajo është kthyer vonë në shtëpi, pas punës. I shoqi e ka pritur për orë të tëra në shtëpi dhe më pas është detyruar që të largohet pasi punonte si roje e turnit të tretë në një polici private. Kur është kthyer në mëngjes nga puna ai ka gjetur gruan në shtëpi dhe ka nisur grindja, e cila përfundoi me vdekjen e 27 vjeçares.

Fillimisht hetuesit e policisë dyshuan se Hysaj mund të kishte marrë me vete vajzën e tij dy vjeçare, që kishte nga lidhja e tij e dytë martesore, por më vonë ata mësuan se ai e kishte dërguar të bijën tek të afërmit e tij në kombinat. Fëmija është lënë të rrijë me të afërmit ndërsa i ati është person në kërkim. Nga të dhënat e para të policisë, dyshohet se ai është fshehur në Tropojë tek disa kushërinj.

Qiradhënësi: Ismeti mundohej të ishte i rregullt

Ismet Hysaj jetonte me bashkëshorten e tij të dytë në rrugën Berit Beker, në afërsi të Doganës së kryeqytetit, në katin e parë të një vile trekatëshe, ku kishin marrë me qera katin e parë. Sipas fqinjëve, ata kishin afërsisht gjashtë muaj që jetonin me qera në këtë shtëpi bashkë me vajzën. Qiradhënësi i tyre tregon se Ismeti ishte munduar të ishte i rregullt, por nuk pati arritur të ishte i tillë. Kohët e fundit ai pati probleme shëndetësore me vajzën dhe na kërkoi që ta mirëkuptonim. Ne i bëmë një favorizim, për shkak të bijës,- thanë qiradhënësit. Ata shprehen se gjatë kohës që kanë jetuar në shtëpinë e tyre nuk kanë pasur konflikte apo grindje që mund të jenë shkaktuar më pas edhe acarimin e marrëdhënieve të tyre deri në ngjarjen e djeshme. Në lidhje ngjarjen, qiradhënësi pohon se dje në mesditë nuk kishte qenë në shtëpi dhe se e shoqja kishte parë policët jashtë shtëpisë, por se nuk kishin arritur ta kuptonin se për se kishin ardhur. Më vonë, sipas tij, e shoqja kishte marrë vesh nga policia se në shtëpinë e dhënë me qera prej tyre kishte ndodhur një ngjarje e rëndë. Ne e kuptuam se kishte ndodhur një ngjarje vetëm kur pyetëm policinë dhe ata rrethuan shtëpinë. Më pas pamë trupin që doli me nj barelë të mbuluar,- thanë fqinjët.

Fqinjët: E pamë të largohej bashkë me vajzën

Specialistët e hetimit të krimit në komisariatit e Policisë nr.6, në kryeqytet, si dhe specialistët e hetimit të vrasjeve në Drejtorinë e Tiranës, morën dëshmitë e disa personave të ndryshëm në vendin e ngjarjes. Dëshmitarët i pohuan policisë se kishin parë Hysajn të largohej bashkë me të bijën të largohej nga shtëpia rreth orës 13:00. Sipas tyre më parë nuk ishin dëgjuar zhurma apo grindje në banesën ku jetonin me qera. Fillimisht ishte menduar si një largim normal mes babait dhe të bijës, por më vonë, kur është marrë vesh ngjarja, fqinjët lajmëruan policinë për krimin e rëndë.

Policia negocion me të afërmit për dorëzimin të kërkuarit

Menjëherë pasi u zbulua autori i krimit, në rrugët e Tiranës u ngritën pika kontrolli me qëllim identifikimin e vendndodhjes së të dyshuarit dhe arrestimin e tij. Veç kërkimeve, policia angazhoi të afërmit dhe miqtë e të kërkuarit, me qëllim që ai të bindej për tu dorëzuar kundrejt lehtësirave që mund të përfitonte nga ky veprim. Blutë morën një lehtësim kur mësuan se vajza dy vjeçare e çiftit ishte shëndoshë e mirë në shtëpinë e të afërmve të Ismet Hysajt në kryeqytet. Ndërkaq ky i fundit, pasi kishte lënë të bijën mësohet se ishte larguar në drejtim të veriut të vendit dhe me të gjitha gjasat në drejtim të vendlindjes së tij në Tropojë. Policia identifikoi atë nëpërmjet antenave të telefonisë celulare në vend. Ai ishte zbuluar nga dy numra telefoni të tij në veri të vendit. Për këtë qëllim, policia ngriti disa pika kontrolli në Kukës, në liqenin e Fierzës, për të bllokuar ngjitjen e tij në traget dhe në disa vende të tjera ku mendohej se mund të lëvizte i kërkuari. Policia shpërndau foto të tij duke kryer edhe kontrolle të ndryshme në pikat e kontrollit të ngritura prej saj. Të afërmit e Hysës, komunikuan disa herë me të në dy numra telefoni, por Ismet Hysa nuk pranoi të dorëzohej.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›