E Diel, 1 Nëntor 2026

Bursa e kapitalit, Musabelliu: Kompanitë shqiptare mund të listohen në tregun europian

TIRANË, 15 shtator /ATSH/ Kompanitë shqiptare që synojnë të sigurojnë financim përmes tregut të kapitalit mund të orientohen drejt bursave europiane pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, në vend të krijimit të një tregu të vogël lokal.

Kështu u shpreh zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu në Komisionin Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, teksa u pyet për mundësinë e krijimit të një burse kapitalesh në vend.

“Me hyrjen në Bashkimin Evropian, me bashkimin e tregut, do të ishte më e udhës që kompani të caktuara në shqiptare që do të donin të listonin, të shfrytëzonin tregun e vetëm evropian dhe të listoheshin në një nga bursat që operojnë në tregun e vetëm evropian, krahasimisht me tentativën që në shumicën e vendeve të rajonit, nuk ka prodhuar asnjë efekt për t’u regjistruar në një bursë lokale”, tha Musabelliu.

Musabelliu argumentoi se madhësia e tregut është një faktor përcaktues për funksionimin e një burse, duke iu referuar edhe përvojës së vendeve të rajonit, ku, sipas tij, bursat lokale kanë funksionuar në mënyrë të sforcuar dhe nuk kanë sjellë efektin e pritshëm në listimin e kompanive.

Në të njëjtën mbledhje, zëvendësministri u ndal edhe te projektligji për marrjen në kontroll të shoqërive me ofertë publike, i cili synon forcimin e garancive për aksionerët dhe trajtimin e barabartë të mbajtësve të titujve.

Një nga ndryshimet lidhet me mekanizmin e përcaktimit të çmimit të ofertës. Sipas Musabelliut, Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare i jepet mundësia të ndërhyjë kur çmimi i përcaktuar në një transaksion nuk pasqyron vlerën objektive të aksioneve.

“Ky projektligj i jep Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare mundësinë që me vendim të paarsyetuar, edhe të ndërhyjë duke përcaktuar një çmim oferte më të lartë apo më të ulët kur çmimi i formuar nga transaksioni nuk pasqyron në mënyrë reale vlerën objektive të aksioneve. Më në detaje, ky ligj përcakton edhe rastet konkrete kur mund të ushtrohet kjo kompetencë, dhe specifikisht i referohemi situatave kur çmimi është rezultat i një marrëveshje që nuk pasqyron kushtet e tregut, kur është ndikuar nga manipulimi ose praktikat e tjera që shtrembërojnë funksionin normal të tregut, kur formimi i çmimit është ndikuar nga ngjarje të jashtëzakonshme apo kur rregullimi i tij është i nevojshëm për shpëtimin apo ristrukturimin e një shoqërie në vështirësi”, tha ndër të tjera Musabelliu.

Projektligji parashikon gjithashtu rregulla për periudhën pas përfundimit të ofertës publike. Në rast se ofertuesi siguron të paktën 75% të kapitalit me të drejtë vote, ai mund të thërrasë menjëherë mbledhjen e përgjithshme të aksionerëve për ndryshimin e statutit apo ndryshimet në administrimin e shoqërisë, në përputhje me kushtet dhe garancitë e përcaktuara në ligj.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›