E Diel, 1 Nëntor 2026

Bushati: “Dua futboll sulmues e të bukur”"Me thënë të drejtën, kam një grup lojtarësh me të vërtetë të talentuar e mjaft interesantë"

Trajneri i Shpresave, Artan Bushati, ashtu si ai Kombëtares së madhe, Josip Kuzhe, do të përballet me Gjeorgjinë, por me atë U-21 (“Niko Dovana”, Durrës, ora 17:00). Tekniku është i bindur në misionin që ka dhe në atë çfarë kërkon: “Dëshiroj të luajmë një futboll të bukur. Kjo është më e rëndësishmja për mua tani. Nuk kemi pse të kemi frikë. Fundja, ky është dhe misioni ynë e me këtë frymë e kam përgatitur dhe ekipin. Me thënë të drejtën, kam një grup lojtarësh me të vërtetë të talentuar e mjaft interesantë. Ka ardhur koha që të mos shikojmë vetëm ndeshjen e radhës, por të punojmë për perspektivën. Shpresoj shumë te këta lojtarë, ashtu si dikur te ata futbollistë që tani i kemi çuar në  kombëtaren A, Vila, Hyka, Bakaj, Ujkani, apo dhe Koliqi. Ka disa emra te Shpresat, pavarësisht së më mirë është të rezervohem : Malota, Bici, Veliu, Lilaj, Jonuzi dhe Malindi janë lojtarë me vlera, që ndoshta në një të ardhme mund të jenë pjesë e Kombëtares, por kjo varet gjithsesi nga kërkesat e trajnerit Kuzhe, se ku ka nevojë ai. Kjo është detyra ime, të evidentoj lojtarë dhe t’ia pasojë atij”, - tha Bushati gjatë një prononcimi në hotel “Leonardo”, përpara sfidës me Gjeogjinë U-21.  Bushati shtoi se kishte kontakte të afërta me trajnerin Kuzhe. “Jo më vonë së të hënën patën një takim të gjatë me Kuzhen, dhe ai madje insistoi të ndjekë pjesën e parë të takimit tonë në Durrës, pasi është kureshtar të shohë lojtarët e Shpresave, teksa ka shprehur edhe dëshirën për të ndjekur ndonjë takim në Lojërat Mesdhetare në Peskara”, - përfundoi Bushati.

E Marte, 09 Qershor 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›