Bushati: ME PD-në u prishëm pas kundërshtimit të kandidaturës së Topallit për presidente
Kryetari i Aleancës Demokristiane, Zef Bushati, ka thënë se ftohja me PD-në ka nisur pas propozimit të Jozefina Topallit për presidente dhe për këtë arsye partia e tij vendosi që të bëhet pjesë e koalicionit të opozitës.
Berisha dëshironte shumë që ADK-ja të ishte në koalicion me PD-në, por si hyzmeqar e jo si partner serioz. Ai e di mirë që nga Partitë Demokristiane, ADK-ja merr 5 herë më shumë se të dy partitë e tjera së bashku. Atëherë gaboi? Ndoshta nuk e la Jozefina. Kur diskutohej për kandidaturat për President Republike, ADK-ja mblodhi Këshillin Kombëtar dhe institucionalisht propozoi Jozefinën. Ajo u revoltua a thua se ne e propozuam për dizenjatore. Mbajti qëndrim të ftohtë dhe nuk thirri asnjë grup nga kryesia e ADK-së për ti falënderuar për këtë propozim. Që atëherë na mori shumë inat. Si rrezik në zgjedhje ne na sheh Jozefina e jo Nard Ndoka, thotë Bushati në një intervistë për Shekullin.
Berisha na fyeu. Harroi kontributet tona. Rama na mirëpriti. Aty ku nuk të vlerësojnë nuk ke pse rri. Dhe ne u larguam pas 23 vjetësh. Mosmirënjohjen e dënon edhe Bibla, edhe Kurani. Berisha harroi 97-n kur miqtë i tij ikën, ia mbathën dhe unë i qëndrova në krah me guxim e kurajë. Ishin ditë të vështira. Unë nuk pres oferta nga askush. Kërkoj vetëm drejtësi në proces, ka vijuar më tej Bushati./b.l