E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bushati i Shkodrës me Qendër Rajonale të Emergjencave Civile, rriten kapacitetet për fatkeqësitë natyrore dhe turizmin

Në Bushat të Shkodrës së shpejti do të nisë puna për ndërtimin e një Qendre Rajonale për Emergjencat Civile. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, gjatë një takimi me kryetarin e Bashkisë Shkodër, Benet Beci, dhe prefekten e qarkut, Majlinda Angoni.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ministri Vengu theksoi se kjo qendër do të jetë plotësisht e gatshme për t’iu përgjigjur nevojave të zonës në raste emergjencash.

“Në takim diskutuam nga afër për nevojën e investimeve në infrastrukturë, mjete dhe personel për përballimin e emergjencave civile në qarkun e Shkodrës,” shpjegoi Vengu. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e rritjes së kapaciteteve të bashkive për reagimin ndaj fatkeqësive natyrore.

Ministri Vengu shtoi se Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile janë “gjithnjë pranë bashkive për reagimin ndaj fatkeqësive natyrore dhe rritjen e kapaciteteve në zonat ku turizmi gjithëvjetor kërkon një qasje të re”. Kjo tregon një përkushtim ndaj mbrojtjes së qytetarëve dhe mbështetjes së zhvillimit turistik të rajonit.

Beci: Një qasje e re për zonat me turizëm gjithëvjetor

Nërsa kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, pas takimitme Ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu, dhe Prefekten e Qarkut, Majlinda Angoni informoi se n fokus të diskutimeve ishte nevoja urgjente për investime në infrastrukturë, mjete dhe personel, me qëllim përballimin më efektiv të situatave të jashtëzakonshme. Beci theksoi se është thelbësore të rriten kapacitetet e bashkive për reagim ndaj fatkeqësive natyrore, si dhe të zhvillohet një qasje e re për zonat me turizëm gjithëvjetor.

Pika kyçe e nismës është ndërtimi i një Qendre Rajonale për Emergjencat Civile në Bushat të Shkodrës. “Shumë shpejt do të nisë puna për ndërtimin e kësaj qendre, e cila do të jetë e pajisur dhe e gatshme për t’iu përgjigjur nevojave të zonës dhe situatave të jashtëzakonshme”, bëri të ditur kryebashkiaku Beci.

  • /rtsh.al/

    Më shumë nga Aktualitet

    Të gjitha ›