E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kallas akuzon Rusinë për përdorim të armëve kimike, sanksionet e BE-së mbeten pezull

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, ka bërë një deklaratë alarmante, duke thënë se Rusia po përdor “armë kimike” kundër trupave ukrainase dhe sulmet po “intensifikohen”. Kjo vjen ndërsa BE-ja po has vështirësi në arritjen e një marrëveshjeje për paketën e 18-të të sanksioneve kundër Moskës, ndërsa Presidenti amerikan Donald Trump po sinjalizon gatishmërinë për të dërguar raketa me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë.

Kallas, duke folur në Këshillin e Punëve të Jashtme, theksoi se “që nga fillimi i pushtimit ka pasur mbi 9,000 raste sulmesh me armë kimike të ndaluara, sipas shërbimeve të inteligjencës holandeze dhe gjermane”. Ajo e cilësoi këtë fakt si “shqetësues” dhe se synimi i Rusisë është që “Kievi të dorëzohet”.

Sanksionet e BE-së pezull

Megjithatë, pavarësisht akuzave të rënda, ende nuk ka një marrëveshje për sanksionet e reja kundër Rusisë. Kallas shprehu zhgënjimin e saj që një marrëveshje nuk u arrit sot, por shfaqi besim se do të finalizohet nesër. “Ishim shumë afër qetësimit të Sllovakisë: Komisioni iu përgjigj shqetësimeve të saj. Tani topi është në fushën e Sllovakisë,” shpjegoi ajo, duke theksuar urgjencën e sanksioneve për t’i privuar Rusinë nga mjetet për të vazhduar luftën.

Kallas gjithashtu e vlerësoi si “pozitive” faktin që Shtetet e Bashkuara kanë kuptuar se Moska nuk dëshiron paqe, çka kërkon ushtrimin e presionit.

“Shpresoj që ata të ecin përpara me sanksionet ose tarifat e tyre,” shtoi Kallas, duke konfirmuar se opsioni i kufizimit të çmimeve të naftës ruse “është aktiv” për paketën e 18-të të sanksioneve të BE-së, edhe nëse SHBA-të nuk do të jenë pjesë e tij.

Në dritën e këtyre zhvillimeve, lufta në Ukrainë duket se po hyn në një fazë të re me rritjen e presioneve ushtarake dhe diplomatike nga të gjitha palët, ndërsa situata humanitare përkeqësohet.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›