Busulla politike e Edvinit, e ç’orientuar si ajo e italianit të Fadil Hasës!
Intervista e së enjtes në mbrëmje e Edi Ramës, e ka skalitur përfundimisht, si në bronz, fizionominë mashtruese, hipokrite e të pabesueshme të humbësit-“fitues”. Kjo u vu ré edhe në fytyrën e intervistuesit, i cili, ndonëse mirëdashës ndaj bujtësit dhe delikat në pyetjet që i drejtonte, nuk mundej të shkonte në pyetjet pasardhëse, sepse personazhi i tij i radhës, s’kishte të mbaruar me retorikën e tij, që zëvendësonte argumentet me fjalí të përsëritshme, si në hartimet pompoze të nxënësve të frazave të bujshme. I merrej koha intervistuesit me sharjet bajate të dëgjuara prej kohësh, si në regjistrim të shiritit të magnetofonit, me mburrjet e çakorduara të „fituesit“ që “i kishin vjedhur votën ditën për diell“, me mallkimet e padrejtpeshuara kundër katërshes së KQZ-së dhe kundër gjyqtarëve të Kodit Zgjedhor. Ishte bërë i padurueshëm në megalomaninë patologjike që e kishin shndërruar në një kundërveprues ndaj personaliteteve euroatlantike ndaj të cilëve sa nuk e shfaqte habinë sheshit, që nuk besonin në „të vërtetën” e tij “në dritë të diellit“ (shprehje parazitare, e bërë bozë së përsërituri!). E quante si gjetje interesante përgojimin e kryeministrit, me nofkën “shoku Sali”! I kujtoheshin, mbase, ato kohë të afërta të Refleksioneve (1991), kur i paraqitej publikut shqiptar si antikomunist i zjarrtë, sidoqë i pabesuar nga publiku, të cilit synonte t’i hidhte hi syve. Me Erion Braçen ishte thartuar paksa, se ky kishte marrë guximin t’i dilte ballas, për mosbojkotim të parlamentit, meqë kishte kuptuar se ato gam-gamet e rrugëve ishin të pafrytshme dhe humbje kohe. Pastaj edhe timbri i tij si kakarisja e gjelit, e zhvlerësonte si orator. Veçse sa për gënjeshtra e mashtrime, ia kalonte edhe ustait! Shumëkujt do t’i jetë kujtuar ajo dita pasardhëse kur parlamentit iu shkatërrua gjithçka nga opozita, që nga konduktorët e kompjuterave gjer te vazot gjigante të luleve dhe Erioni kishte ardhur me një filxhan kafeje e ulërinte sa e kishte në kokë se s’ishte cenuar asgjë në sallën e parlamentit, asnjë filxhan kafeje (duke ngritur përpjetë filxhanin e kafesë(!). Pra, si gënjeshtar me damkë, E. Braçe i duhet Edvinit, që “të vërtetojë” se anëtarët e Kolegjit Zgjedhor i kishte blerë Sala, madje nxirrte edhe shifrën e blerjes nga fantazia e tij e sëmurë! “Janë po këta që sot ulëríjnë se drejtësía ka vdekur që kur rrëmbyen pushtetin në ‘97-ën dhe realizuan me drejtësinë “hakmarrjen” ndaj demokracísë dhe ithtarëve të saj”, - shkruante Luan Myftiu në “55-n” e datës 14. 07. 2011. Mandej vijon, duke na dhënë kohën e sundimit të tyre (1999-2005), si etalon të një qeverisjeje shterpë: “Pasiguria për jetën dhe pronën arriti kuota të frikshme. Ligji vepronte vetëm ndaj atyre, që futeshin në “kurthe” me anë të “kaçatorëve” të pushtetarëve socialistë. Psikiatrët nxirrnin me “të meta mendore” vetëm nipërit e mbesat e bosëve të krimit, kurse pronarët u lanë të vdisnin duke shpresuar prapa dyerve të gjykatave(...) Të gjithë padrinot u lidhën bisht më bisht si minjtë për t’u mbrojtur nga populli, të cilin nisën ta vidhnin pa kufí”. Dhe për votimet: “...kishte mbushje “kutish” votimi nga policia, braktisje të procesit zgjedhor, tanke pranë qendrave të votimit dhe krisma pistoletash mbi trupat e komisionerëve demokratë”.
Më tërhoqi vëmendjen edhe kryeartikulli i djeshëm i “55-s”: “Edi Rama gënjeu për fitoren e tij, gënjeu për klimën e besimit në gjirin e PS-së e gënjeu kur tha se s’ka frymëzim të së kaluarës në partinë e tij. Edi Rama mbërriti në fantazmagoritë e propagandistëve komunistë që gjithë ditën e gjithë natën flasin për etikë e për moral, bash duke përdhosur parimin që në shtëpinë e të varurit nuk përmendet litari”. Sa për pajtueshmërinë me ndërkombëtarët, - “ai s’reshti së përsërituri se s’do të ketë dialog me kryetarin e mazhorancës”. Gënjeshtrat më të forta, Edi Rama i këputi ndaj mediave e ndaj komunitetit ndërkombëtar - vërente “55-a”. Gazeta të tjera që s’i gëlltisnin dot rrenat e Ramës dhanë edhe pamje komike, si rastin e atij italianit që shqiptari mirëdashës e kishte futur në bodrum, për ta mbrojtur nga gjermanët, që u binin më qafë dezertorëve italianë, pas kapitullimit të Badolios. Ngjarjen e tregon aktori i njohur Fadil Hasa. Kur mbaroi lufta, italianin e nxorën nga streha, por ai ishte i shqetësuar dhe donte të dinte se ku ishin gjermanët! Ky “çorientim”, në rastin e Ramës, mund të zëvendësohet me fjalën “shthurje nga realiteti”, si ai italiani i Fadilit që fliste kodra pas bregut!