Buxheti 2025, Berisha: 780 mijë pensionistëve u la 16 mln euro, tallje

TIRANË, 20 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zhvilluar sot një bashkëbisedim me pensionistët në Durrës.
Berisha e ka cilësuar si tallje që qeveria me buxhetin e vitit 2025 nga 8.2 miliardë lekë ndau 16 milionë euro për 780 mijë shqiptarë.
“780 mijë pensionistëve u la gjithsej për vitin 2025, 16 milionë euro. Nuk ka vend që e bën këtë kurrë, kurrë. A ka tallje më të madhe, a ka cinizëm më të madh”, tha Berisha.
Berisha tha se “këta bëjnë një përvetësim, një vjedhje të paimagjinueshme”.
“Dhe kujt ua vjedhin? Ju ua vjedhin! Më të varfërve ua vjedhin. Sepse ju, ju, 3 pensione i lini me tvsh-në”, tha Berisha.
Berisha nënvizoi se “rrogat nuk rriten, pensionet nuk rriten”.
“Paratë vidhen, çfarë është e vërteta. Paratë vidhen dhe vetëm vidhen në mënyrë të tmerrshme”, tha Berisha.
Berisha tha se PD do përmbysë modelin e shpërndarjes së të ardhurave.
“Në qoftë se, sot nga 8.2 miliardë, vetëm 800 milionë janë të ndara për rrogat, dhe të tjera 8.5% e GDP-së shkon për arsimin dhe po kaq për Shëndetësinë, të gjitha të tjerat shkojnë për punë publike, të cilat në një mënyrë ose në një tjetër i gjobisin shqiptarët pothuajse aq sa bunkerët. Po, bëjnë tendera dhe ndajnë paratë. Është bërë e zakonshme që, babai i jep të birit tender, nëna i jep djalit tender e me radhë”, tha Berisha.
Kreu i PD-së tha më tej se “nuk ka asnjë mungesë parash”, dhe “së pari do vendosim minimumin jetik për çdo shqiptar”.
“Mbi këtë minimum, do llogariten pensionet. Ky minimum, do të jepen për të gjitha ata të cilët marrin nga zero gjer në 200 euro. Pra, është hapi i parë për t’u përballur me këtë varfëri.
Pensionet do të llogariten mbi bazën e 200 eurove. Rroga minimale, se ne do merremi fillimisht, ua them këtu, ne do merremi me këto shtresa, sepse gjendja e tyre e mjerë po zbraz Shqipërinë. Ky është faktori më kryesor që shqiptarët ikin”, tha Berisha.
Berisha premtoi po ashtu rrogën minimale 500 euro.
“Dhe garantoj çdo shqiptar se, ligjet më të rrepta do të ndëshkojnë cilindo që mendon se mund të paguajë punëtorin, punonjësin më pak se 500 euro, si rrogë minimale”, tha Berisha.