E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Buxheti 2025, Ibrahimaj: Në fokus, infrastruktura, digjitalizimi dhe zhvillimi i sektorëve strategjikë

TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj tha sot se buxheti i vitit 2025 ka në fokus vijimin e rritjes ekonomike, ndërsa mbështet sipërmarrjen dhe inovacionin.

Në fjalën e saj, në seancën plenare në Kuvend ku po diskutohet pr/buxheti 2025, ministrja Ibrahimaj tha se në fokus janë infrastruktura, digjitalizimi dhe zhvillimi i sektorëve strategjikë.

“Ka disa vite tashmë që rritja ekonomike është stabilizuar në 3.9% – 4%. Ky është parashikimi që kemi dhe për vitet në vijim. Buxheti që ju është paraqitur ka qëndrueshmërinë fiskale kryefjalë”, u shpreh Ibrahimaj.

“Ka një deficit buxhetor të reduktuar, balancë primare të reduktuar. Një buxhet pra që i përmban të gjitha rregullat fiskalë, duke garantuar që ekonomia shqiptare të vazhdojë me hapa të sigurtë. Ju është paraqitur një buxhet që ofron stimuj fiskal, garanton 6.2% të GDP në investime publike. Për çfarë duhen këto?, këto duhen për të stimuluar ekonominë, që të vijomë rritjen ekonomike”, u shpreh Ibrahimaj.

Ajo tha se “të ardhurat për frymë janë më shumë se dyfishuar. Pagat janë rritur shumë më shumë dhe shumë shpejtë sesa çdo periudhë tjetër gjatë viteve të fundit”.

Sa i takon taksave, Ibrahimaj shtoi se “93% e të punësuarve paguajnë deri në 10%. Ato taksa të rritura që ju propagandoni i kanë vetëm 7% të punësuarve.”

Ministrja Ibrahimaj, krahasoi edhe nivelin e TVSH me vendet e rajonit dhe më gjerë. “Shqipëria ka një TVSH standarde 20%, ndërsa Italia e ka 22%, Sllovenia 25%, Mali i Zi 21%, Kosova 18%, Greqia 24%.

Për pensionet, Ibrahimaj theksoi nevojën për politika të kujdesshme. “Ju e keni dëgjuar dhe keni kuptuar që ato financohen nga kontributet shoqërore. Kemi nivelet më të ulta në rajon, 27.9% janë kontributet shoqërore në Shqipëri, 35.05% në Serbi, 36.5% në Kroaci, 44% në RMV. Ndaj deputet të nderuar, kur bëhet fjalë për politika të cilat shkojnë në mbështetje të pensionistëve, ne të parët, duhet të jemi kujdesshëm, pasi s’duam të rritim taksat dhe s’duam të destabilizojmë buxhetin, që do sillte një të ardhme më të varfër dhe negative”, tha Ibrahimaj më tej.

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit tha se “ky buxhet nuk paraqitet paketë fiskale, ndër herët e vetme. 90% e bizneseve për hir të politikave fiskale që kjo qeveri ka ndërmarrë nuk paguajnë tatim-fitim. Vetëm 27% paguajnë TVSH. Pra buxheti që u paraqitet kanë shkuar në mbështetje të biznesit”.

Ibrahimaj tha se politikat fiskale kanë stimuluar turizmin. “Janë 2 560 biznese që operojnë në fushën e hotelerisë që përfitojnë nga kjo politikë fiskale e ndjekur nga kjo qeveri”.

“Pr/buxheti i vitit 2025 parashikon investime publike 6.2%, ose 161.8 miliard lekë. Në fokus infrastruktura, digjitalizimi, zhvillimi i sektorëve strategjik turizmi e bujqësia. Veçanërisht dua të theksoi për mbështetjen për digjitalizimin, që do uli kostot për bizneset.

Pr/buxheti 2025 mbështet me grante 300 mln lekë, mbështet ngritjen e qendrave të inovacionit dhe teknologjisë, lehtësira për Sturt-up shqiptare dhe mbështetje për praninë e tyre në panaire”, u shpreh Ibrahimaj ndër të tjera.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›