E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Buxheti 2025, trajnim i 16 mijë mësuesve të gjuhës shqipe, teknologjisë informatike dhe shkencës

TIRANË, 16 nëntor/ATSH/ Buxheti 2025 për Arsimin dhe Sportin do të vijojë të mbështesë Programin Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve, i cili synon të përmirësojë aftësitë e mësimdhënësve në shkencë, arsimin fillor, gjuhën shqipe, dhe teknologjinë e informacionit.

Ministria e Arsimit dhe Sportit informoi sot se me këtë buxhet do të mundësohet trajnimi i 16 mijë mësuesve të gjuhës shqipe, teknologji informatike dhe shkencës duke i pajisur ata me njohuri dhe aftësi që do të ndikojnë pozitivisht në cilësinë e arsimit.

Ky program nuk përfshin vetëm përmirësimin e njohurive, por edhe përshtatjen e mësimdhënies me standardet ndërkombëtare.

MAS është angazhuar që plani i zhvillimit profesional të mësuesve dhe gjithashtu modelet e testeve të PISA-s të jenë pjesë e programit të trajnimit, duke i ndihmuar mësuesit të përgatisin më mirë nxënësit për sfidat globale.

Ky program është pjesë e një strategjie afatgjatë për përmirësimin e cilësisë së arsimit në Shqipëri, me qëllim që çdo mësues të pajiset me njohuritë dhe aftësitë më të mira për të rritur suksesin e nxënësve në përputhje me standardet evropiane.

Për trajnimet e mësuesve po kontribuojnë me asistencën e tyre pedagogë nga 7 universitetet publike të vendit, të cilat janë të njohura për kontributin e tyre në formimin dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit në Shqipëri si Universiteti i Tiranës, Universiteti i Elbasanit, Universiteti i Durrësit, Universiteti i Korçës, Universiteti i Vlorës, Universiteti i Gjirokastrës dhe Universiteti i Shkodrës.

Pedagogë dhe trajnerë të zgjedhur për ekspertizën e tyre po japin një mbështetje të vazhdueshme dhe të personalizuar për mësuesit, duke garantuar një zhvillim profesional cilësor dhe të orientuar drejt praktikës.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›