E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti i vitit 2010, Bode replikon me Vasilin

Ministri i Financave, Ridvan Bode dhe ai i Shëndetësisë, Petrit Vasili, kanë replikuar me njeri-tjetrin duke marrë fjalën në mënyrë të përsëritur në lidhje me fondin dhe kompetencat e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësore, si dhe për shpenzimet e përcaktuara në buxhet për t’u investuar në sektorin e Shërbimit të Kujdesit Parësor.

Kjo përplasje solli edhe një indiferencë tek LSI-ja, e cila nuk ka ngritur kartonin në disa prej neneve. Deri në nenin nr. 5 të buxhetit, kartonët e LSI-së janë ngritur në shenjë miratimi por pas refuzimit të Bodes për ndryshimin e destinacionit të parave në shëndetësi, ato kanë mbetur të ulur. Kjo ka vazhduar pothuajse deri në fund të miratimit nen për nen të buxhetit, por në votimin në tërësi LSI i është bashkuar PD-së për të arritur shifrën 75-0.

Janë rreth 400 milionë lekë që gjatë hartimit të buxhetit për Ministrinë e Shëndetësisë, financat i kanë përcaktuar për ngritjen e një serë qendrash shëndetësore në disa komuna dhe bashki të vendit.

Ndërsa Ministria e Shëndetësisë i kërkoi Komisionit të Ekonomisë një shpërndarje ndryshe të buxhetit të saj, duke ulur fondin për grantet konkurruese për ndërtimin e qendrave shëndetësore dhe investimin e tyre në Spitalin e Pediatrisë dhe atë të Neurokirurgjisë në Tiranë. Nga fondi prej 400 milionë lekë që financat kishin përcaktuar për grantin konkurrues të Ministrisë së Shëndetësisë, kjo e fundit ka pranuar vetëm 160 milionë ndërsa pjesën tjetër ka kërkuar që të lejohet t’i investojë në këto spitale. Nga ana tjetër, ISKSH-ja ka kërkuar një rritje me tre për qind të fondit të përcaktuar për të me pretendimin se shtimi i numrit të të siguruarve, ka rritur kostot e këtij institucioni për faktin se është rritur numri i atyre që përfitojnë shërbim falas.
 
“Ne nuk mund të biem dakord me pretendimet e shtruara për uljen e nivelit të granteve konkurruese të Ministrisë së Shëndetësisë për ndërtimin e ambulancave në zonat rurale pasi duam të përmirësojmë shërbimin e kujdesit parësor. Ndërkohë kemi të depozituara në Ministrinë e Financave por edhe në atë të Shëndetësisë kërkesa për ndërtimin e qendrave shëndetësore të reja në bashki dhe komuna”, deklaroi ministri i Financave, Ridvan Bode.

Këtij të fundit i është përgjigjur vetë kreu i Shëndetësisë, Vasili. Sipas tij, nuk mund të investohet në sektorin e shërbimit parësor duke lënë në mes punimet për spitalin e neurokirurgjisë dhe pediatrisë.

“Ky fond nuk pasqyron të plotë atë çfarë ka  nevojë shëndeti parësor, pasi zhvillimi i tij bëhet në një logjikë të caktuar. Ky grant në këtë mënyrë dhe në këtë vlerë nuk e ndihmon atë duke mos pasur dy shërbimet kombëtare të cilët ndërpriten dhe mbeten në mes në QSUT, siç është neurokirurgjia dhe pediatria që janë shërbime unikale tek të cilat nuk është investuar për 20 vite. Në këtë moment investimi në ambulancat e bashkive dhe komunave nuk shkon ne sinkron me atë çka sistemi kërkon të realizojë. Shtimi prej 400 milionë lekë i këtij fondi nuk është bërë duke u konsultuar me ne pasi në fund të fundit jemi ne që arsyetojmë më qartë se si i kërkon sistemi dhe si i realizojmë ato investime që kemi në duar“, deklaroi Vasili.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›