E Shtunë, 31 Tetor 2026

Administrata, dalin kriteret e reja të punësimit

TIRANË- Administrata Publike do t'i nënshtrohet një reforme të thellë në kuadër të integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Me hyrjen në fuqi të Vendimit të Këshillit të Ministrave mbi Strategjinë në administratën publike 2009-2013 , të gjithë personat që do të aplikojnë për një vend pune, do të propozohen për rritje ne detyrë apo për marrjen e masave administrative, pritet të përballen me disa procedura ndryshe nga ato që janë përdorur deri më tani.

Kështu, në administratën publike nuk do të punësohen më punonjës me anë të kontratave të përkohshme. Sipas strategjisë së miratuar nga qeveria, përdorimi i kontratave të përkohshhme do të bëhet vetëm në raste emergjencash, në mënyrë të kontrolluar dhe në raport tepër të ulët në krahasim me numrin e punonjësve të një institucioni. Por edhe në këto raste, punonjësi i rekrutuar me kontratë të përkohshme nuk do të ketë të drejtë të konkurrojë për atë pozicion në momentin kur do të hapet konkursi.

Ndryshime ka edhe në mënyrën se si do të bëhet punësimi i punonëjsve të administratës, intervistimi, ulja apo rritja në detyrë. Pritet që për punonjësit që do të punësohen në bashki, komuna prefektura apo qarqe të aplikohen procedura më të thjeshtuara.

Për sa i përket pozicioneve që janë në nivelin e specialistit parashikohet që rekrutimi në administratë të bëhet në grup. Pra bazuar në nevojat e institucionit, kandidatët më të suksesshëm do të përbëjnë një listë nga e cila do të merren për t'u emëruar në pozicione të ndryshme në momentin e hapjes së një vendi të lirë. Ndërsa, për pozicione që kërkojnë specialitete të veçanta parashikohet që rekrutimi të bëhet në mënyrën e vjetër pra rast pas rasti në bazë të nevojave të institucionit.

Po ashtu synohet që të përmirësohen metodat e testimit për personat që konkurojnë për një vend pune në administratë, ku në radhë të parë do të vlerësohet aftësia krijuese dhe mundësitë e zhvillimit të kandidatëve. Për personat që konkurojnë për pozicione të larta të administratës publike eksperienca do të jetë një nga kriteret kryesore të vlerësimit.

Ndryshe nga më parë, tashmë është e detyrueshme që intervistat e bëra për një vend punë të dokumentohen, pra nëse është bërë me regjistrim, ai duhet të ruhet.
Sipas strategjisë së miratuar nga qeveria, në raste kur konkurohet për një vend të lire pune, i cili për të gjithë konkurrentët konsiderohet rritje në detyre, prioritet do të kenë ata kandidatë që janë të brendshëm, pra nga i njëjti institucion ku gjithashtu kriter vlerësues do të jetë eksperienca. Parashikohet që kriteri i eksperiencës të përdoret për të avantazhuar indirekt kandidatët e brendshëm.

Për sa i përkët levizjeve paralele në administratë në pozicione të ngjashme me atë të mëparshmin, do të hiqet periudha e provës me arsyetimin se kandidatët që vijnë nga radhët e administratës nuk kanë nevojë të ritestohen. Edhe në këtë rast, të privilegjuar do të jenë ata kandidatë që janë të brendshëm apo institucione të ngjashme.
Gjatë vitit 2009, në administratën publike punësimi me anë të kontratave të përkohshme është përdorur në mënyrë masive ku nga muaji në muaj me vendim të qeverisë, numri i tyre veç se rritej. Deri më tani me anë të kontratave të përkohshme në administratë janë punësuar rreth 6600 persona.

Vendimi, shpërblimet jo më shumë se 7 % të pagës


Për të gjithë ata që gjatë gjithë vitit kanë punuar në mënyrë shembullore dhe nisur nga kjo propozohet një shpërblim ai nuk do të jetë më shumë se 7 për qind të pagës vjetore. Ristrukturimi i Administratës miratuar nga qeveria parashikon që shpërblimi për punë të mirë të variojë nga 5 deri në 7 për qind të pagës. Ky kriter është vendosur nga qeveria duke marrë parasysh eksperiencën ndërkombëtare sipas të cilës jo domosdoshmërisht pagesa lidhet me performancën e punonjësve të Shërbimit Civil. "Përdorimi i shpërblimeve financiare duhet të kufizohet në nivel 5-7 për qind të rrogës vjetore. Pagesa që lidhet me performancën nga eksperienca ndërkombëtare sugjerohet se nuk funksionon në Shërbimin Civil. Ajo mund të funksionojë në disa shërbime publike, por kjo është një përjashtim, jo rregull", - theksohet në dokumentin e miratuar nga qeveria.

Po ashtu, nëse ndodh që puna e kryer vlerësohet negativisht, punonjësi nuk do të ulet në detyrë por do të përballet me zvogëlim të pagës ose kufizim i të drejtës së vendimmarrjes. Krahas kësaj, shihet si mundësi edhe marrja në patronazh deri në përmirësimin e ecurisë së tij nga eprori apo punonjës të tjerë me performancë më të mirë.Të gjithë punonjësit e administratës do t'i nënshtrohen një trajnimi të posaçëm me module të caktuara në lidhje me nivelin dhe pozicionin që ata kanë. Trajnimet do të jenë të detyrueshme nëse gjatë ushtrimit të detyrës ata do të përballen me ndryshime substanciale në ligje apo politika. "Duke filluar nga viti në vijim, krahas fondeve që janë të parashikuara në buxhetin e Institutit të Trajnimit të Administratës Publike, çdo agjenci shtetërore duhet të caktojë një fond të posaçëm për trajnimin e punonjësve të saj.

Krahas trajnimeve masive, duhen krijuar më tepër programe të tilla specifike që iu përgjigjen nevojave të veçanta dhe dinamikës së problematikave të Shërbimit Civil. Po ashtu duhet të përdoret një numër i kufizuar trajnimesh të detyrueshme e periodike", - theksohet në strategji.

Mjekët dhe Arsimtarët përfitojnë status

Një pjesë e mirë e administratës së Shërbimit Civil si, arsimtarët, mjekët, punonjësit e tatim-taksave, doganierët ,policët, etj., do të përfitojnë status të veçantë për shkak të profilit të punës që ata kryejnë. Dhënia e statusit parashikohet të përfundojë deri në fund të vitit 2013, brenda të cilit parashikohet të bëhet aplikimi i strategjisë së miratuar disa javë më parë. Gjatë kësaj periudhe, parashikohet edhe një rritje në numër të punonjësve të Shërbimit Civil duke bërë të domosdoshme reformimim e mënyrës së administrimit të këtij sektori.

Krahas kësaj, nga qeveria sugjerohet që të bëhet edhe një rishikim i regjimit të pagave për këta punonjës për ta pasuruar atë me përbërës që lidhen me trajnimet e detyrueshme, e ngjashme me atë që aplikohet për arsimtarët. Por sipas Këshillit të Ministrave, kjo është një politikë që duhet studiuar edhe më tej për të parë avantazhet dhe dizavantazhet e saj.

Ristrukturimi i administratës është cilësuar si një hap thelbësor për proceset e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›