Buzhala: Krasniqi u tregua fashist

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Berat Buzhala ka reaguar kundër shkrimit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Kransniq,i cili e kishte cilësuar gazetarin Arben Idrizi si njeri me të meta fizike dhe mendore, pasi ky i fundit i kishte akuzuar si kriminel dhe vrasës udhëheqësit e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Buzhala përmes rrjetit social Facebook, iu ka kërkuar falje të gjithë personave me aftësi të kufizuara fizike, duke shtuar se nuk mendon i gjithë Kuvendi siç mendon Jakup Krasniqi ndaj kësaj kategorie shoqërore.
Më poshtë po e publikojmë të plotë reagimin e Buzhalës:
"Eshte sikur të bësh gara në lojërat speciale olimpike", kishte thënë Presidenti Obama.
Të nderuar miq të FB'it, lojërat speciale olimpike janë ato gara ku marrin pjesë personat me aftësi të kufizuara. Dhe Obama në këtë rast kishte bërë humor te zi në llogari të veten, por pa dashje ishte tallur me qindra mijëra persona me aftësi të kufizuara. Pas kësaj gafe Presidenti Obama kishte thirrur në telefon Presidentin e Komitetit Olimpik, për lojera speciale, ku i kishte kërkuar falje për gabimin e bërë.
Miq të dashur, nëse Arben Idrizi e ka tepruar në shkrimin e tij apo jo, kjo është një çështje tjetër, por nëse gabon një gazetar, nuk është njëjtë sikur nëse gabon një Kryetari i Kuvendit, i cili në shkrimin e tij të botuar në media, pasi fillimisht e kishte plasuar në profilin e tij në FB, ishte treguar racist dhe fashist ndaj te gjithë atyre personave qe në çfarëdo forme mund te konsiderohen si persona me aftësi të kufizuara.
"Po kujt po i flas? Kjo që them vlen për intelektualin njeri, shkrimtarin e vërtete dhe kjo nuk vlen për prodhimin njerëzor prej monstre. Pasi vetëm nga ky dyzim lindin njerëz me deformime fizike e mendore si në rastin tonë, me 'intelektualin' dhe 'shkrimtarin' A.I".
Miq të dashur të mi në FB, secili prej jush e njeh dikë, e ka në familje të ngushtë a të gjerë, që mund të ketë aftësi te kufizuara fizike. Jakup Krasniqi për te gjithë ata të afërmit e juaj mendon se janë prodhim i dyshimtë njerëzor. Sipas tij, personat me aftësi të kufizuara fizike janë persona me aftësi mendore prej monstre.
Dëshiroj ta nënvizoj edhe njëherë se unë nuk pajtohem me shkrimin e Arben Idrizit, por unë pajtohem me guximin e tij intelektual qe t'i thotë hapur mendimet e tija.
Duke e ditur se Arben Idrizi - ndonëse kjo nuk ka aspak rëndësi - nuk e ka asnjë mungesë fizike - sepse me te luaj rregullisht futboll - megjithatë ne emrin tim personal atij i kërkoj falje për mënyrën se si atij i është drejtuar Kryetari i Kuvendit.
E posaçërisht ndihem përgjegjës si anëtar i Kuvendit qe t'u kërkoj falje të sinqertë të gjithë atyre personave qe kanë aftësi fizike të kufizuara. Dëshiroj t'i siguroj ata që Jakupi nuk e përfaqëson secilin deputet të këtij Kuvendi. Dëshiroj t'i siguroj ata që mungesa fizike që ata e kanë nuk i bën as më pak e as me shumë të dëmshëm në rrethin shoqëror. Ata janë fëmijtë tanë, motrat e vëllezërit tanë. Ata janë me te dashurit tanë. Një mendim kaq të ndytë sa ky i Jakupit me terma konkret ndaj kësaj kategorie shoqërore e kishte shprehur para 60-70 viteve Adolf Hitler, i cili po ngarendte pas një race të pastër arjane./Indeksonline/