E Diel, 1 Nëntor 2026

Bylisi arrin fitore të rëndësishme për mbijetesë, barazime në ndeshjet e tjera

TIRANË, 22 mars /ATSH/ Dy nga tre përballjet e javës së 29-të të Superiores, të luajtura të shtunën, përfunduan pa fitues, duke u mbyllur në barazime.

Vllaznia dhe Dinamo kanë ndarë pikët në një përballje të tensionuar në stadiumin “Loro Boriçi”, duke i lënë të dy ekipet të pakënaqura me rezultatin.

Sfida mes dy skuadrave ka qenë mjaft argëtuese, me raste në të dy portat e me momente të diskutueshme pasi shkodranët dy herë kërkuan penallti, pa u dëgjuar nga kryesori i cili as nuk u konsultua me sistemin VAR.

Teuta dhe Partizani dhuruan spektakël me katër gola në “Niko Dovana”. Rezultati 2 me 2 bëri që ekipet të ndajnë pikët në javën 29 të Abissnet Superiore.

Tre gola u shënuan me kokë në total. Fillimisht ishte kapiteni Skuka që zhbllokoi takimin për Partizanin. Më pas shënoi dy herë Teuta duke përmbysur rezultatin. Golat ishin fotokopje, pasi erdhën nga Zogos, pas harkimeve nga goditjet këndore.

Partizani nuk u dorëzua dhe Bytyçi i Partizanit vulosi barazimin 2 me 2 në minutën e 54-të. Të kuqtë mbeten në vendin e katërt me 4 pikë më shumë se Dinamo dhe 6 pikë më tepër se Teuta.

E vetmja fitore u shënua nga Bylisi ndaj Flamurtarit, duke e çuar në kuotën e 30 pikëve.

Bylisi ka siguruar një fitore dramatike me shifrat 2-1 në Ballsh përballë Flamurtarit, duke siguruar tri pikë të arta në luftën për mbijetesë në Superiore.

Të premten AF Elbasani barazoi me Egnatian 0-0.

Java përfundon sot me duelin Tirana-Vora, që do të luhet në “Selman Stërmasi” në orën 15:00, një sfidë që pritet me shumë interes për renditjen në fundin e tabelës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›