Bylisi, gati për festën e titullit

Kategoria e Parë luan të shtunën javën e 30-të dhe të fundit të edicionit, ndërsa në Ballsh janë përgatitur për festën e titullit kampion. Madje, si në asnjë vend tjetër, tanimë Besa e Kavajës, që përgatitet t’i shmanget zonës së Play-out në Kategorinë e Parë, pranon të luajë në Ballsh ndeshjen e fundit. Kjo për të mos i prishur festën ballshiotëve dhe për të mos prishur miqësitë në një ndeshje që mund të vendosë shumë për fatet e kavajasve.
Sakaq Erzeni, që tashmë ka siguruar kalimin në Superiore, pret Besëlidhjen, që duket sikur e ka siguruar “mesin e artë” të renditjes. Tomori – Pogradeci dhe Maliqi – Burreli janë ndeshje që përcaktojnë skuadrën e vendit të gjashtë në renditje, që do të bëjë Play-off me skemën 3-6 dhe 4-5 prej nga ku do të dalë ekipi që do të përballet me të tetën e Superiores për një vend në elitën e futbollit shqiptar në sezonin 2022-2023.
Thuajse ndeshje thjeshtë për të respektuar kalendarin Apolonia – Vora, Shkumbini – Lushnja, apo në një farë mënyre dhe Butrinti – Turbina. Kështu Kategoria e Parë mbyll sezonin e rregullt, atje ku tashmë Bylisi dhe Erzeni janë në elitën e futbollit shqiptar.
JAVA XXX
Erzeni – Besëlidhja ora 16:00
Besa – Bylis ora 16:00
Butrinti – Turbina ora 16:00
Tomori – Pogradeci ora 16:00
Tërbuni – Korabi ora 16:00
Maliqi – Burreli ora 16:00
Shkumbini – Lushnja ora 16:00
Apolonia – Vora ora 16:00