E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ertjan Kofsha, i bronztë në shkëputje

Ertjan Kofsha, përfaqësuesi i Shqipërisë në Kampionatin Botëror të të rinjve në Kretë, kjo në peshën 81 kilogram, e ka mbyllur konkurrimin e tij vetëm me një medalje bronzi në stilin e shkëputjes. Edhe pse pritshmëritë ishin të mëdha, ndërsa renditej në tre vendet e para në dygarësh në Baterinë A të peshës 81 kilogram, gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç ka dashur peshëngritësi nga Shtërmeni dhe trajneri i tij Leonard Toska. Në stilin e shkëputjes është i suksesshëm që në provën e parë më 141 kilogram.

Më pas realizon mirë provën e dytë me 144 kilogram. Dhe po i tillë është në provën e tretë me 146 kilogram. Dhe medalja e bronztë për të, ndërsa në vendin e parë ishte turku Hakan Kurnaz me 150 kilogram, kurse i dyti kazakistanasi Jegor Sherer me 149 kilogram. Mirëpo në shtytje jo gjithçka mirë për Ertian Kofshën, i cili në provën e parë dështon me 167 kilogram, të cilën më pas e realizon në provën e dytë.

Në të tretën tentoi pesë kilogram më tepër për të qenë brenda zonës së medaljes. Por duket se shtanga me 172 kilogram ka rezultuar e rëndë për të dhe vendi i dhjetë në stilin e shtytjes, kurse me dygarëshin 313 kilogram renditet i shtati. Këtu përfundon Botërori i të rinjve për peshëngritjen shqiptare, ndërsa e gjithë vëmendja do të jetë në Kampionatin Europian të të rriturve më 25 maj – 5 qershor në sallën olimpike “Feti Borova” në Tiranë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›