E Diel, 1 Nëntor 2026

Byrne: Shqipëria hyn në fazë të re të negociatave me BE-në, Irlanda do të mbështesë rrugëtimin

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen i Irlandës, Thomas Byrne, vlerësoi progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, duke theksuar se vendi po hyn në një fazë të re të negociatave pas dakordësimit për mbylljen e tre kapitujve negociues.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama dhe Komisioneren Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, pas përfundimit të Konferencës së IX Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Evropian, Byrne e cilësoi ditën si të rëndësishme si për Shqipërinë ashtu edhe për Bashkimin Evropian.

“Sot është një ditë vërtet e rëndësishme për Shqipërinë, por e rëndësishme edhe për Bashkimin Evropian. Është një ‘Super e Martë’, me një super fund”, u shpreh ai.

Byrne bëri të ditur se Këshilli i Bashkimit Evropian ka rënë dakord që Shqipëria të mbyllë tre kapituj negociues: Kapitullin 25 – Shkenca dhe Kërkimi, Kapitullin 26 – Arsimi dhe Kultura dhe Kapitullin 31 – Marrëdhëniet me Jashtë.

“Shqipëria sot ka nisur dukshëm mbylljen e kapitujve negociues. Këshilli ka rënë dakord që Shqipëria është gati të mbyllë tre kapituj negociues. Shqipëria ka dëshmuar angazhimin e saj drejt Bashkimit Evropian me mbylljen e këtyre kapitujve dhe ne shohim Shqipërinë të hyjë në një fazë të re të anëtarësimit”, deklaroi ai.

Ministri irlandez vlerësoi ritmin e reformave të ndërmarra nga Shqipëria, duke theksuar se vendi ka çelur gjashtë grup-kapituj brenda një viti dhe ka përmbushur piketat e ndërmjetme gjatë presidencës qipriote të Këshillit të BE-së.

“Ne vlerësojmë konsistencën dhe angazhimin tuaj, zoti Kryeministër, jo vetëm në zbatimin e reformave, sidomos në sundimin e ligjit, por edhe në reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit, që mbeten thelbi i procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian”, tha Byrne.

Ai nënvizoi se gjatë presidencës irlandeze të Këshillit të BE-së, Irlanda do të vijojë të mbështesë Shqipërinë në procesin e përafrimit të legjislacionit me acquis-in e Bashkimit Evropian dhe në avancimin e negociatave të anëtarësimit.

“Si presidencë irlandeze, do të mbështesim Shqipërinë që të vazhdojë të harmonizojë legjislacionin e saj me acquis-in evropian dhe të ecë përpara në procesin e anëtarësimit”, u shpreh ai.

Në përfundim, Byrne theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian është një proces transformues, që sjell përfitime si për vendet kandidate, ashtu edhe për vetë BE-në.

“Procesi i zgjerimit është një rrugëtim transformues. Irlanda e di më mirë se shumë vende përfitimet që ai sjell për institucionet, shoqërinë dhe ekonominë, jo vetëm të vendeve kandidate, por edhe të të gjithë Bashkimit Evropian. Presim me padurim që të vazhdojmë të çojmë përpara kandidaturën e Shqipërisë në muajt që vijnë”, përfundoi ministri irlandez.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›