Byroja e opozitës nis eliminimin e armiqve - Gjinushi e Ceka shpallin bashkimin
Partitë e opozitës kanë dështuar dje të mbërrijnë një marrëveshje qoftë edhe formale për reformën zgjedhore. Kryetarët e katër partive opozitare
u mblodhën në mesditë në ambientet e Hotel Tirana International për të diskutuar mbi reformën zgjedhore dhe atë në drejtësi. Në këtë takim informal ishin të pranishëm, kryetari i PS-së, Edi Rama, Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, si dhe Kryetari i PAD-së, Neritan Ceka, ndërkohë që mungonte kreu i PDS-së, Paskal Milo. Mësohet se biseda ka qenë që në fillim e tensionuar dhe shkak për këtë kanë qenë replikat e shkëmbyera së fundmi mes partisë së Gjinushit dhe asaj të Metës në lidhje me rolin e tyre pikërisht në këto 2 reforma dhe sidomos atë në sistemin zgjedhor, ndërsa vetë Meta ka braktisur mbledhjen në mes.
Socialdemokrati Skënder Gjinushi dhe kryesocialisti Rama kanë shmangur çdo lloj komenti, në një kohë që kryetari i PAD-së, Ceka deklaroi se ky
ishte takimi i parë për fillimin e vitit të ri politik, ku u biseduan dy çështje kryesore, çështja e reformës zgjedhore dhe çështja e reformës në drejtësi, ndërsa shtoi se nuk ka ende një qëndrim të kristalizuar qartë të byrosë opozitare.