E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

CEFTA heq gjeobllokimin e pajustifikuar, më shumë mundësi për klientët online

A keni dëgjuar për “bllokimin gjeografik”? Çështja në fjalë është një problem i vazhdueshëm, me të cilin përballen shitësit online dhe klientët në rajon dhe më gjerë. Bllokimi gjeografik konsiderohet diskriminim midis konsumatorëve, në varësi të vendndodhjes ku ata jetojnë dhe kryejnë biznes, ose nga ku marrin porositë.

Plani i Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal 2021-2024, ka si qëllim lëvizjen e lirë të mallrave dhe shërbimeve brenda CEFTA-s, ndërsa bllokimi i pajustifikuar gjeografik është një pengesë që CEFTA dëshiron ta heqë. Më së shumti duhet të përfitojnë klientët online që bëjnë blerje në e-shop, nga tregje të ndryshme të CEFTA-s.

Ekspertët e CEFTA-s ranë dakord për projekt-vendimin e Komitetit të Përbashkët që duhet të prezantojë rregullat e BE-së me CEFTA-n, maksimumi deri në vitin 2025. Kjo duhet t’i lërë kohë të mjaftueshme secilit treg të CEFTA-s, për të përcaktuar rolet dhe procedurat.

Cilat janë rregullat e CEFTA-s për gjeobllokimin?

Qasje e barabartë në mallra dhe shërbime

Shitësit nuk do të mund të diskriminojnë klientët në lidhje me kushtet e përgjithshme, përfshi:

  1. a) Mallrat që dorëzohen në një treg tjetër të CEFTA-s (kur shitësi ofron dërgesë), ose që dorëzohen në vendndodhje, pasi është rënë dakord më parë me klientin
  2. b) Shërbime, si hostimi i të dhënave, hostimi i faqeve të internetit ose të tjera, akomodimi në hotel, makina me qira

Qasja në faqet e dyqaneve elektronike

Shitësit nuk do të jenë në gjendje të kufizojnë aksesin në dyqanet elektronike, bazuar në vendndodhjen e klientit. Konsumatorët do të jenë të lirë të zgjedhin, ose të bëjnë blerje përmes e-shopeve që janë të pranishme në tregjet e tyre, ose në tregjet e tjera të CEFTA-s.

Transaksionet e pagesave

Diskriminimi i pajustifikuar është i ndaluar kur bëhet fjalë për mënyrat e pagesës dhe shitësit nuk do të jenë në gjendje të ofrojnë metoda të ndryshme pagese për klientët bazuar në kombësinë ose vendbanimin e tyre. Ata gjithashtu nuk do të jenë në gjendje të bllokojnë aksesin në blerjet në internet.

Përjashtime?

Po. Shërbimet e lidhura me të drejtën e autorit ose pronësinë në formë jomateriale (p.sh. muzika, transmetimi, e-libra), do të përjashtohen. Shërbimet e tjera si financiare, audio-vizuale, transporti, shëndetësore dhe sociale, gjithashtu do të përjashtohen.

Ndryshe nga diskriminimi i çmimeve, diferencimi i çmimeve nuk do të kufizohet. Shitësit do të jenë të lirë të ofrojnë kushte të ndryshme, duke përfshirë çmimet, dhe të synojnë grupe specifike klientësh në tregje të caktuara. Shitësit nuk do të jenë të detyruar t’u dorëzojnë mallrat klientëve në tregje të tjera përveç tregjeve të CEFTA-s (ku ata kryejnë dorëzimin).

Gjeobllokimi: mit apo fakt?

CEFTA ka kryer së fundmi një hulumtim gjithëpërfshirës mbi këtë praktikë. Rezultatet kanë treguar se vetëm një në katër përpjekje për të blerë në një treg tjetër, është e suksesshme. Ka shumë arsye për këtë, disa janë të justifikuara, disa të tjera jo.

Klientët që porosisin produkte ose shërbime në internet, përballen me gjeobllokim kryesisht në një nga 4 fazat e blerjes: aksesi në faqen e internetit, regjistrimi, dërgesa dhe pagesa. Shkalla e suksesit të porositjes në Shqipëri nga rajoni, është vetëm 28.5%. Ndërsa dyqanet online lokale, kanë barriera në 62% të rasteve për klientët nga rajoni.

Dyqanet elektronike në Shqipëri shpesh përballen me sfida në logjistikë, procedurat doganore, si dhe tarifat që klientët fundorë duhet të paguajnë mbi çmimin e produktit. Ekziston edhe një shqetësim për taksimin e dyfishtë në dy tregje, gjë që mund të ndikojë në konkurrencën në tregun e huaj.

Disa nga problemet e përmendura më sipër janë vendosur tashmë në agjendat e iniciativave të tjera, për të promovuar tregtinë elektronike brenda CEFTA-s, në përputhje me praktikat e BE-së. Mësoni më shumë rreth aktiviteteve të CEFTA-s në lidhje me tregtinë elektronike, në: “Tregtia Elektronike në CEFTA: Udhërrëfyesi për dialogun mbi çështjet rregullatore”: https://bit.ly/37to4EK

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›