CIA fton rusët të tregojnë sekretet

Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) e Shteteve të Bashkuara ka filluar një fushatë të re për të përfituar nga ajo që zyrtarët amerikanë të inteligjencës besojnë se është mundësi e pashembullt për t’i bindur rusët e pakënaqur me luftën në Ukrainë dhe me jetën në Rusi që t’i tregojnë sekretet e tyre, duke publikuar një videon rekrutimi të hënën në internet.
“Jeni oficer ushtarak? A punoni në fushën e zbulimit, diplomacisë, shkencës, teknologjisë së lartë, apo merreni me njerëz që e bëjnë këtë? A keni informacion për ekonominë apo udhëheqjen e lartë të Federatës Ruse? Na kontaktoni. Ndoshta njerëzit përreth jush nuk duan të dëgjojnë të vërtetën. Ne duam”, thuhet në videon e CIA-s, teksa shihen individë të vetmuar duke peshuar vendimet e tyre: një burrë që ecën nëpër borë, një grua që shikon përmes një dritareje.
Në fund të videos së CIA-s, një burrë dhe një grua shfaqen në skena të ndara, ndërsa gishtat e tyre rrinë gati pezull mbi ekranet e celularëve ku duket një faqja e internetit e Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës: Kontakto CIA-n. Në këtë përpjekje përfshihet një kanal i ri i CIA-s në rrjetin “Telegram”, i cili është shumë i njohur për lajme të pafiltruara në Rusi.
CIA e publikoi këtë video së pari në “Telegram”. Në fund të saj jepen udhëzimet për të rënë në kontakt me agjencinë amerikane në mënyrë anonime dhe sekrete. Videoja do të publikohet edhe në llogaritë e agjencisë në rrjete të tjera, si “YouTube”, “Twitter”, “Instagram” e “Facebook”.
Zyrtarët e CIA-s që janë përfshirë në këtë projekt thanë se pushtimi rus i Ukrainës ka krijuar një mundësi historike “që t’i kemi rusët duke ardhur te ne dhe t’i japin informatat për të cilat Shtetet e Bashkuara kanë nevojë”. Kjo fushatë vjen pas një fushate të mëparshme rekrutimi pas fillimit të luftës, për të cilën zyrtarët kanë thënë se ka qenë e suksesshme dhe se kontakti është duke ardhur, raporton CNN.
I pyetur për videon nga agjencia e lajmeve Reuters, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se nuk i kishte kushtuar vëmendje. “Ne të gjithë e dimë shumë mirë se CIA dhe shërbimet e tjera të inteligjencës perëndimore nuk po e zvogëlojnë aktivitetin e tyre në territorin e vendit tonë”, tha zoti Peskov, duke theksuar se “ishte i bindur se shërbimet speciale ruse po gjurmonin aktivitetin e spiunazhit perëndimor”.
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, disa rusë reaguan në mënyrë skeptike ndaj videos në mediat sociale, duke thënë se ajo dukej si një “provokim” nga shërbimi rus i sigurisë FSB. Rusia ka një ndër ligjet më të rrepta për tradhti dhe vetëm muajin e kaluar parlamenti miratoi një rritje të dënimit, nga 20 vjet burg në burgim të përjetshëm.
/ rtsh /