“Ca trimosha…”/ BKH – Ramës: Hetuesit shkuan të ekzekutonin masën e pezullimit të Ballukut, armët u dorëzuan pa debat

Pas deklaratës së sotme, 14 dhjetor, të kryeministrit Edi Rama, ka një reagim zyrtar nga ana e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Teksa e cilësoi shumë të drejtë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që riktheu në detyrë Belinda Ballukun, gjatë podcastit të tij “Flasim”, kreu i qeverisë vuri theksin te një episod që sipas tij ka ndodhur te godina e Këshillit të Ministrave.
“Këto dy indicie tejet shqetësuese nuk provojnë se protagonistëve të pavarësisë së drejtësisë u ka marrë koka erë dhe u është mbushur mendja se ata janë shteti, ligji e drejtësia, si puna e ca trimoshave të BKH-së, për të cilët kam dëgjuar shumë çudira, po kishin ardhur një ditë në godinën e Këshillit të Ministrave dhe nuk donin ta linin patllaken tek dera, sipas rregullores së sigurisë së lartë të Gardës së Republikës”, tha kryeministri.
Pikërisht në përgjigje të sa më sipër, BKH thekson se më datë 20 nëntor, tre hetues të këtij institucioni janë paraqitur në ambientet e Kryeministrisë për ekzekutimin e vendimit të marrë nga Gjykata e Posaçme AntiKorrupsion (GJKKO), për pezullimin nga detyra të numrit dy të qeverisë.
“Në hyrjen e brendshme të Këshillit të Ministrave, hetuesit janë informuar nga Garda e Republikës se sipas rregullave në fuqi, nuk lejohet hyrja me armë zjarri në ambientet e brendshme të institucionit.
Njëri prej hetuesve ka kërkuar sqarim mbi mënyrën dhe vendin e depozitimit të armëve. Garda e Republikës i ka orientuar që armët të liheshin në dollapët e posaçëm të sigurisë, në hyrje të institucionit. Pas verifikimit se ambienti i depozitimit ishte i sigurt dhe i monitoruar me kamera, hetuesit kanë depozituar armët dhe kanë vijuar normalisht me kryerjen e veprimeve procedurale.
Theksojmë se në asnjë moment nuk ka pasur debat apo përplasje mes hetuesve të BKH-së dhe Gardës së Republikës”, thuhet në reagimin zyrtar.
Sipas Byrosë Kombëtare të Hetimit, e drejta e hetuesve të BKH-së për mbajtjen e armës së zjarrit mbështet në ligj dhe nuk ka pasur asnjë shkelje në këtë rast prej tyre.