E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama nxjerr pamjet nga Maliqi: Po shkon përpara projekti për krijimin e Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve

Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamjet e trajtimit të mbetjeve që sipas tij u shërben të gjitha bashkive të qarkut Korçë dhe “është shembull i bashkëpunimit ndërbashkiak, inovacionit dhe edukimit mjedisor”.

Sipas kryeministrit Edi Rama përmes administrimit efikas puna për trajtimin e mbetjeve në Maliq vijon sipas standardeve më të larta.

Rama shpjegon se Ministria e Mjedisit po çon përpara projektin për krijimin e Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve, i cili do të mbështesë bashkitë në menaxhimin e pikave fundore, duke u lënë më shumë hapësirë të fokusohen në ndarjen e mbetjeve në burim dhe riciklim.

“Me administrimin efikas, teknologjinë e duhur dhe programet e ndërgjegjësimit për të rinjtë, puna për trajtimin e mbetjeve në #Maliq vijon sipas standardeve më të larta, ndërsa Ministria e Mjedisit po çon përpara projektin për krijimin e Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve, i cili do të mbështesë bashkitë në menaxhimin e pikave fundore, duke u lënë më shumë hapësirë të fokusohen në ndarjen e mbetjeve në burim dhe riciklim”, shkruan Rama në rrjetin social në Facbook.

Ai shton se me programin e ri në landfillin e Maliqit do të ketë një paketë investimesh duke shtuar edhe 2 pika të tjera të trajtimit të mbetjeve për të siguruar kapacitetet për një periudhë 20-vjeçare në zonën e menaxhimit të mbetjeve të Korçës.

“Me programin e ri të Ministrisë së Mjedisit dhe Bankës Gjermane për Zhvillim në landfillin e Maliqit do të ketë një paketë investimesh, duke shtuar dy qeliza  të reja të trajtimit të mbetjeve për të siguruar apacitetet për një periudhë 20-vjeçare në zonën e menaxhimit të mbetjeve të Korçës”, shkruan kreu i qeverisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›