Çako: Sistem i integruar i paralajmërimit të rreziqeve klimatike në Shqipëri

TIRANË, 8 maj /ATSH/ Në kuadër të forumit rajonal “United for Climate Regional Cooperation for a Resilient Future”, u zhvillua sot një sesion diskutimi me temë “Sistemet e Paralajmërimit të Hershëm – Nga të dhënat te veprimi për komunitete rezistente”, i fokusuar në forcimin e gatishmërisë dhe mbrojtjen e komuniteteve, veçanërisht të grupeve më vulnerabël ndaj rreziqeve klimatike.
Paneli mblodhi drejtues dhe përfaqësues të institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen civile, shërbimet meteorologjike dhe qendrat shkencore kërkimore nga Shqipëria, rajoni dhe Europa, të cilët ndanë eksperiencat dhe praktikat më të mira për ndërtimin e sistemeve efektive të paralajmërimit të hershëm.
Në fjalën e tij, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, theksoi rëndësinë e krijimit të një sistemi funksional dhe të integruar të paralajmërimit të hershëm për rreziqe të shumëfishta në Shqipëri. Ai nënvizoi se një sistem i tillë duhet të mbështetet në të dhëna të sakta, informacion në kohë reale dhe koordinim të fortë ndërinstitucional, me qëllim rritjen e sigurisë dhe mbrojtjes së qytetarëve.
Sipas pjesëmarrësve, sfidat që lidhen me ndryshimet klimatike kërkojnë bashkëpunim më të ngushtë rajonal, përdorimin e teknologjive inovative dhe forcimin e kapaciteteve institucionale për të përmirësuar reagimin ndaj emergjencave dhe për të rritur reziliencën e komuniteteve.
Në përfundim të diskutimeve, u theksua se ndërtimi i sistemeve moderne të paralajmërimit të hershëm mbetet një prioritet strategjik për vendet e rajonit, në funksion të minimizimit të rreziqeve dhe mbrojtjes së jetës, pronës dhe mjedisit.
/e.i/a.f/r.e/