E Diel, 1 Nëntor 2026

Laborator inteligjent në shkollën “Gjergj Kastrioti” në Lezhë

TIRANË, 8 maj /ATSH/ Projekti i laboratorëve SMART, në të cilin janë përfshirë mbi 35 mijë nxënës të klasave I, II dhe III po shtrihet në të gjitha shkollat e vendit.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro u shpreh sot se SmartLab tashmë është pjesë e shkollës 9-vjeçare “Gjergj Kastrioti” në Lezhë.

“Nxënësit kanë krijuar faqen e re të shkollës në internet, duke praktikuar aftësitë digjitale që kanë përftuar gjatë mësimit në SmartLab, një shembull që tregon se si mësimdhënia përmes teknologjisë po transformon mësimnxënien në shkollat tona dhe pajisjen e fëmijëve me aftësi digjitale dhe mendim kritik që u nevojiten për punët e së nesërme”, tha Kumbaro.

Në kornizën kurrikulare të arsimit parauniversitar, kurrikula e TIK synohet të përfshihet në të gjitha klasat, nga I-XII dhe kompetenca digjitale të zhvillohet përgjatë gjithë lëndëve tjera.

Falë investimit të deritanishëm, mbi 35 mijë nxënës në arsimin fillor po mësojnë në këtë vit të ri shkollor përmes platformave interaktive, ndërkohë që pas ratifikimit të kësaj marrëveshjeje dhe zbatimit të projektit do të jenë përfitues rreth 130 mijë nxënës të arsimit parauniversitar, nga klasa I-XII.

Me implementimin e fazës së tretë, numri i shkollave të pajisura me SmartLab-e në të gjithë vendin do të shkojë në 915, ndërsa numri i laboratorëve në 970, duke përmbushur kështu edhe një nga objektivat kryesorë për pajisjen e të gjitha institucioneve të arsimit parauniversitar me infrastrukturën e nevojshme, që do t’i bëjë nxënësit të aftë të përshtaten me kornizën e re kurrikulare të përmirësuar, që mbështetet gjerësisht te teknologjia për zhvillimin e procesit mësimor dhe më të përgatitur edhe përballë sfidave të tregut të punës, që kërkon profesionistë të zotë të pajisur me aftësi digjitale.

/e.i/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›