E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Çako: Situata nga zjarret është në kontroll, të rritet përgjegjshmëria e qytetarëve! Autorët të vihen para ligjit

Kreu i Emergjencave Civile Haki Çako ka deklaruar se situata e zjarreve në vendin tonë është nën kontroll. I ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, Çako i bëri apel qytetarëve që të jenë të përgjegjshëm dhe të mos ndezin zjarre, pasi dalja e tyre nga kontrolli do vinte në rrezik jetët e tyre. Në këtë kuadër, ai u shpreh se, agjencitë ligjzbatuese duhet të identifikojnë dhe të vendosin para përgjegjësisë ligjore të gjithë autorët.

“Një zjarr masiv i ndezur për arsye të ndryshme përfshiu periferinë e Rrogozhinës dhe vuri në rrezik banesat, u stabilizua pasi u aktivizuan forcat vendore dhe helikopteri i operacionit të shuarjes së zjarreve.

Situata e zjarreve, që është proces natyrore gjatë verës aktivizohet nga temperaturat e larta, e gjithë bimësia thahet, dhe ekspozon në maksimum bimët, pemëtarinë.

Një komponent shumë i rëndësishëm janë vetë qytetarët, komuniteti. Shkaktarë, iniciatorë janë bashkëqytetarët tanë. Arsyet të ndryshme për të eliminuar mbeturina, apo për të djegur bimësinë e tharë, nuk përjashtohen dhe rastet me tendencë kriminale, për të cilat jemi në kontakt me agjencitë ligjzbatuese për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore të gjithë autorët.

Kur shkaktohet pasojë, ligji e ka të parashikuar dëmtimin me zjarr të pasurisë së përbashkët dhe në këtë aspekt nuk ka vakum ligjor.

Paralajmërimi dhe reagimi janë shumë të rëndësishme.

Edhe shtetet më të fuqishme nuk do e përballonin dot nëse zjarret dalin nga kontrolli”, tha Çako.

Kreu i Emergjencave Civile u ndal dhe te situata e zjarreve në vendet fqinje, të cilat i konsideroi si katastrofike, duke theksuar se Shqipëria ka qenë e imunizuar nga kjo gjendje.

Një rëndësi të madhe në këtë proces, theksoi Çako, zë angazhimi, vëmendja dhe përfshirja e të gjithë shoqërisë.

Çako dha një mesazh edhe për pushtetin vendor, të cilët sipas tij, duhet të tregojnë një vëmendje të shtuar në rastet e zjarreve dhe të tregojnë përgjegjshmëri.

“Ligji për mbrojtjen civile por dhe në parim të përgjithshëm ndërkombëtar, ka një parim : bashkitë janë të zotët e shpisë dhe nëse i zoti i shpisë nuk reagon, çdo investim tjetër i ardhur nuk kanë efektin e duhur.

Kemi zhvilluar disa takime, ministri Peleshi përcolli mesazhin se reagimi dhe përgjegjshmëria e pushtetit vendor është shumë e rëndësishme.

Dëmtohet ekonomia e tyre, e fermerëve, e qytetarëve që kanë zgjedhur këta kryetarë bashkish.

Vitet e fundit përgjegjshmëria është rritur në maksimum, por mbetet për të kuptuar se duhet angazhim i të gjithë strukturave.

Zjarret prevalojnë dhe pasojat janë të jashtëzakonshme. Nuk jep më askund të drejtën për të vazhduar me prioritete të tjera”, u shpreh ai.

Sa i përket prezencës së municioneve të fshehura dhe aktivizimit të tyre nga zjarret, Çako u shpreh se janë një rrezik i shtuar për Forcat e Armatosura dhe qytetarët.

“Është mëse e vërtetë, falënderoj mediat që e kanë përcjellë këtë informacion. Shqipëria pas një tranzicioni të tejzgjatur, ka ende municione, apo lëndë eksplozive në zona të caktuara që duhen vlerësuar dhe çdo informacion i qytetarëve është i vlefshëm.

Është risk i shtuar për FA-të që kanë vështirësinë e lartë të zjarrin dhe kur ju shtohet dhe kjo, jeta merr risk të lartë”, tha Çako.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›