Caktohen kriteret për auditimin e financimit të fushatës elektorale
Kontrolli
KQZ kërkon paraqitjen e kandidaturave brenda datës 15 maj
Kriteret:
Profesioni - Të ushtrojnë profesionin e ekspertit kontabël të licencuar në 5 vitet e fundit dhe të mos kenë marrë masa disiplinore
Partitë - Të mos ketë qenë i zgjedhur në strukturat drejtuese të ndonjë partie politike në 5 vitet e fundit
Kandidimi - Të mos ketë qenë kandidat i mbështetur nga ndonjë parti politike apo koalicion në zgjedhjet pararendëse
Nepotizmi - Të mos ketë marrëdhënie krushqie të afërt ose gjinie deri në shkallë të katërt me kryetarët dhe drejtuesit e tjerë të partive
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve prezantoi dje kriteret që duhet të plotësonin ekspertët kontabël të licencuar, në mënyrë që të jenë pjesë e auditit që ky komision u bën financave të partive politike. Zëdhënësja e KQZ-së theksoi dje, se ekspertët jo vetëm që sduhet të ishin pjesë e ndonjë partie politike, por madje nuk duhet të kishin marrëdhënie krushqie të afërt ose gjinie deri në shkallë të katërt me kryetarët dhe drejtuesit e tjerë më të lartë të partive politike. Këto kritere të përcaktuara në udhëzimin e KQZ-së, kanë për qëllim të mos krijojnë konflikt interesi mes ekspertëve dhe subjekteve politike, financat e të cilëve do të marrin në shqyrtim. Por, nga ana tjetër, zëdhënësja e KQZ-së theksoi se një filtër tjetër në përzgjedhjen e këtyre ekspertëve do të ishte edhe shorti. Pas shfaqjes së interesit nga ekspertët kontabël pranë KQZ-së, përmes një shorti transparent që do të hidhet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do të përcaktohen edhe ekspertët që do të bëjnë auditimin e fondeve të përftuara dhe shpenzuara gjatë vitit kalendarik 2012 nga partitë politike, theksoi zëdhënësja. Sipas saj, të interesuarit duhet të dorëzonin dokumentacionin deri në datë 15 maj, në mënyrë që të merreshin parasysh fazat e tjera të kësaj përzgjedhjeje. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas publikimit të këtij njoftimi edhe në median e shkruar e ripërsërit këtë ftesë që të interesuarit të dorëzojnë pranë KQZ-së brenda datës 15.05.2013, theksoi zëdhënësja. Kjo ftesë ekspertëve u bëhet në zbatim të nenit 23/2 të ligjit nr. 8580, Për Partitë Politike, me qëllim zhvillimin e procedurës për caktimin me short të ekspertëve kontabël të licensuar, të cilët do të kryejnë auditimin e fondeve të përftuara dhe shpenzuara gjatë vitit kalendarik nga partitë politike.
Caktohen kriteret për auditimin e financimit të fushatës elektorale burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email