Cameron: Partneriteti ynë për migracionin shumë pozitiv, shembull edhe për të tjerët

TIRANË, 22 maj /ATSH/ Sekretari i Shtetit për Çështjet e Jashtme, Commonwealth-it dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar Lord David Cameron deklaroi sot se, partneriteti mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar për migracionin ka qenë shumë pozitiv.
Në një deklaratë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, Cameron duke folur për migracionin, tha se, “ka qenë një partneritet vërtetë i mrekullueshëm, shumë pozitiv, shumë i arrirë dhe shpresoj që do të jetë shembull edhe për të tjerët”.
Sepse, shtoi ai, “në të gjithë Evropën problemi i migracionit të parregullt është një problem me të cilin hasen të gjithë dhe siç u kam thënë dhe ministrave të tjerë të jashtëm, është një problem të cilin duhet ta përballoni ju”
“Në rastin e Shqipërisë dhe të Mbretërisë së Bashkuar, ju keni treguar që jeni novatorë, jeni krijues dhe që i hyni dhe punoni për këto partneritete kaq të forta dhe në sajë të kësaj pune arrini rezultate të shkëlqyera”, tha Cameron.
“Ekonomia juaj është rritur, sektori i turizmit do të jetë shumë, shumë i suksesshëm edhe gjatë viteve në vijim dhe do të ketë shumë, shumë mundësi që njerëzit të qëndrojnë në Shqipëri duke ndërtuar më tej ekonominë e vendit, duke e përmirësuar atë dhe për këtë do të keni ndihmën tonë”, u shpreh Cameron.