Cana: Bundesliga? Jo, preferoj të rri te Lacio
Shqiptarët në radhët e Lacios po bëhen protagonistë shpesh. Dje sërish është përmendur emri i drejtorit sportiv Igli Tare, i cili ka replikuar me ish-futbollistin lacial Zarate, që është kthyer në vendlindje, Argjentinë. Zarate akuzonte një ditë më parë presidentin Lotito dhe Taren për shkatërrimin e karrierës së sulmuesit, ndërsa drejtori sportiv dje i është përgjigjur: "Kemi mbajtur shënim deklaratën e Zaratesë. Për ne nuk përfundon këtu". Fjalët e Tares janë të pakta, por të prera, duke lënë të nënkuptojë që Lacio mund ta ndjekë edhe në rrugë ligjore këtë çështje. Pas deklaratës së Lorik Canës se do të dëshironte të fitonte trofe të tjerë me Lacion, duke filluar nga Superkupa e Italisë kundër Juventusit, dje mesfushori shqiptar është shprehur, duke i premtuar besnikëri klubit: "Jam shumë i kënaqur që luaj me Lacion. Kemi një grup të mirë, të drejtuar nga staf fantastik. Bundesliga në të ardhmen? Kam ende tre vjet kontratë me klubin e Lacios dhe ardhmja ime e afërt është në Romë". Fjalë që vërtetojnë edhe njëherë që Cana, për të paktën edhe një sezon do të qëndrojë te Lacio, për të marrë pjesë në Champions pastaj.
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)