E Shtunë, 31 Tetor 2026

Azerët e Neftçit: S'e llogarisim Skënderbeun

Ethet e Ligës së Kampioneve nisin sot edhe për kampionët shqiptarë. Skënderbeu do të luajë ndeshjen e parë të këtij kompeticioni europian, pikërisht në transfertën azerbajxhanase, ku përballë do të ketë kampionët e këtij vendi, Neftçi Baku, që është edhe ekipi më i fortë i Azerbajxhanit dhe me traditë. Korçarët janë nisur plot optimistë për sfidën e parë. Në deklaratat e tyre përmendej barazimi. Trajneri Josa pohonte se një barazim do të ishte rezultat fantastik, ndërsa presidenti Takaj deklaronte se ekipi i Skënderbeut i kishte të gjitha mundësitë për të marrë një rezultat premtues, që më pas në ndeshjen e kthimit të arrihej kualifikimi. I ligjshëm ky pretendim i kampionëve shqiptarë, por në krahun tjetër duket se as nuk e llogarisin Skënderbeun.
SHTYPI AZER
Në komentet e ndryshme dhe në krahasimet që bëjnë tifozët e Neftçit me Skënderbeun, vihet re një ironi, si për të dëshmuar se ekipi i tyre është shumë shkallë më lart se kampionët e Shqipërisë. Dhe për këtë sjellin si fakt kryesor renditjen me gati 100 vende përpara në renditjen e klubeve në Europë. Disi më ndryshe ka qenë shtypi azerbajxhanas, teksa shkruajnë që do të respektojnë kundërshtarin, por në fushë fitorja nuk duhet të diskutohet. Faqja online e gazetës "sport. 1news.az" ia dedikon pikërisht pjesën më të madhe përballjes së sotme. Në të shkruhet qartë se si ekipi tyre është favorit jo vetëm për të fituar ndeshjen, por edhe për t'u kualifikuar. Parashikohet madje një fitore e thellë e Neftçit, por gjithmonë duke mos nënvlerësuar ekipin shqiptar.
TRAJNERI GADZHIEV
Në konferencën e djeshme për shtyp, trajneri i Neftçi Bakusë, Bejukaga Gadzhiev, së pari ka folur për respektin që duhet treguar ndaj Skënderbeut, pasi mendjemadhësia mund të jetë fatale. "Po nuk respektuam kundërshtarin, duke mos e nënvlerësuar, sado të kemi dëshirë, nuk arrihet qëllimi. Në fushë do të futemi vetëm me mendimin për fitore, kjo as që diskutohet. Por unë dua që të fitojmë, në mënyrë që në ndeshjen e kthimit të mos vuajmë për të arritur kualifikimin. Do t'u japë përparësi atyre lojtarëve që kanë luajtur sezonin e fundit, sepse e kuptojnë më mirë njëri-tjetrin. Nuk e vras mendjen se si do të luajë Skënderbeu, edhe pse ata e vrasin shumë mendjen se si do të luajmë ne. Kampionët e Shqipërisë natyrisht që do të mbrohen në Baku, por ne kemi për të detyrë të fitojmë pastër, në mënyrë që ndeshjen e kthimit ta kemi më të lehtë. Nuk dua të papritura, ne duhet të mos mendojmë se çfarë do të ndodhë më pas, por duhet të fitojmë nesër (sot). Po nuk e bëmë këtë, kot që flasim", - është shprehur trajneri i Neftçi Baku, Gadzhiev, që pavarësisht besimit për të kaluar turin e parë, u kërkon të tijve që të mos e nënvlerësojnë aspak kundërshtarin, sidomos në ndeshjen e parë.
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›