E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana: Do të luajmë fort, s’premtojmë si politikanët

Shqipëria nuk është favorite ndaj Sllovenisë. Pas Zvicrës, Sllovenia ka lojtarët më të mirë teknikisht në grup. Nuk do të jetë befasi edhe nëse Sllovenia do të mundë Shqipërinë. Ne shkojmë për të bërë lojën tonë dhe gjithçka është e hapur, të tria rezultatet janë të mundura.” Me këtë deklaratë ka dalë kapiteni i skuadrës kuqezi Lorik Cana, një ditë para largimit të Kombëtares në transfertën e Lubjanës. Ekipi është stërvitur intensivisht edhe dje pasdite, ndërsa trajneri ka thirrur 28 lojtarë. Kombëtarja do të lërë sot në orën 9:30 Durrësin, për t’u nisur drejt Sllovenisë. Ja çfarë deklaroi Cana në konferencën për shtyp:
Jeni grumbulluar pas një ndeshjeje dritëhijesh në Torino dhe pas një dëmtimi...?
Ndihem në formë, jam gati që të jap kontributin tim maksimal. Jemi gati të gjithë dhe po stërvitemi gjatë këtyre ditëve për këtë ndeshje shumë të rëndësishme. Nuk kam asnjë dëmtim dhe asgjë tjetër.
Në mbrojtje mungon Marvraj. Sa ndikon kjo?
Mërgimi është shumë i mërzitur dhe i zhgënjyer që nuk mund të grumbullohet dot me Kombëtaren për shkak të dëmtimit. Atij i ka hyrë dashuria për ekipin kombëtar dhe duhet të them që Mërgimi ka rritur cilësinë e ekipit, ka sjellë eksperiencën e tij nga Bundesliga. Pavarësisht dëmtimit, ai do të zëvendësohet, pasi ka emra të tjerë në skuadër.
Si kapiten i Kombëtares, cilat janë rezultatet që premtoni në dy ndeshjet e radhës?
Ne nuk jemi politikanë që të premtojmë, veçanërisht kur nuk jemi të sigurt a do t’i mbajmë. Ajo që duhet të bëjmë është që të përgatitemi sa më mirë dhe të luajmë fort. Trajneri e di si do të rreshtohen lojtarët, ai na njeh mirë të gjithëve.
A ndihet presioni për këtë ndeshje?
Deri tani nuk kemi bërë ende asgjë. Por ne do të bëjmë lojën tonë pa emocione dhe pa kufizime, me kualitetin që kemi luajtur deri tani. Shqipëria nuk është favorite në këtë ndeshje që luhet në transfertë dhe të gjitha mundësitë janë të hapura. Ndeshja është e hapur dhe i ka të tria rezultatet brenda.
Jemi në vend të dytë dhe kjo quhet historike...?
Nuk jemi në pozitë historike; do të bëjmë maksimumin që kjo të ndodhë në këtë edicion, nëse është e mundur. Do vazhdojmë të qëndrojmë me “këmbë në tokë”. Nëse marrim një rezultat pozitiv ndaj Sllovenisë, kjo do të ketë ndikim edhe në ndeshjen tjetër pasardhëse. Ndodhemi në një pozicion që nuk kemi qenë kurrë më parë, por akoma nuk kemi bërë historinë. Ne duhet të japim dyfishin nga vetja. Nëse luajmë si në Tiranë, janë të tria rezultatet të mundshme. Sllovenia ka një skuadër të fortë dhe me ardhjen e trajnerit Katanec, ka objektiva të rëndësishëm. Në këtë ndeshje rezultatet janë tri, por ne nuk duhet të humbasim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›