E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana: “Golin ia kisha premtuar babait”



Lorik Cana shënoi kundër Liverpulit (1-2) golin e parë të tij historik në Ligën e Kampioneve (takimi u transmetua direkt në paketën “Tring”). Një arritje personale e mesfushorit shqiptar, që për fat të keq u shoqërua me humbjen e dytë rresht në shtëpi ndaj pesë herë kampionëve të Europës, pas asaj të një viti më parë 4-0 po në “Velodrome” të Marsejës. Por kësaj radhe me një ndeshje dinjitoze. Në fakt, Marsejë-Liverpul ishte një ndeshje ku tre golat u shënuan nga kapitenët e dy ekipeve, Lorik Cana për Marsejën (23’) dhe Stiven Xherard për Liverpulin (26’ e 32’ me penallti). Ndërkombëtari shqiptar foli për mediat franceze, football.fr për golin e tij të parë dhe parandjenjën e pabesueshme që ai pati para ndeshjes se do të shënonte. Cana pati gjatë ndeshjes kundër Liverpulit edhe një dëmtim të lehtë në gju.

Lorik Cana, a ju jep ky gol një kënaqësi të veçantë?
Më e pabesueshmja është se para ndeshjes unë kisha paralajmëruar babin tim që do të shënoja. Ky është një gol i rrallë, pasi unë nuk shënoj shumë gola. Trajneri na kishte kërkuar, mua dhe “Ben”-it (Benua Sherjusë) të ndiqnim vazhdimisht aksionet e të provonim për të qenë shumë përpara në terrenin. Përgjithësisht, kur unë ndodhem në zonën decizive, unë e gjej jo të keq rastin për të gjuajtur dhe dje (të martën) unë e kisha këtë ndjenjë. Por në fund të takimit ishte shumë zhgënjyese, pasi e gjithë puna e bërë u vendos në hije për shkak të rezultatit (1-2). Me një ndeshje në barazim apo me një fitore ndeshja do të kishte qenë zbukuruar shumë, pro fatkeqësisht në futboll rëndësi ka vetëm rezultati dhe këtë mëngjes, nuk mund të jem veçse i zhgënjyer.
Si reaguat në fushën e lojës, kur një nga kolegët tuaj për një gabim të atillë në një ndeshje kaq të rëndësishme?
Në këtë nivel, kur dikush bën një gabim nuk ka nevojë të shkosh e t’i flasësh. Një profesionist e di kur ai ka bërë një gabim dhe ai e përjeton atë shumë keq. Edhe unë kam bërë gjithashtu gabime, të gjithë bëjmë. Reagimi i parë ishte për ta provuar sërish të rinisemi të gjithë në ruajtje të shpirtit tonë dhe mënyrës sonë të lojës. Duhet të vazhdojmë të ecim përpara. Aq më tepër që vetëm kapiteni mund të japë reagime.
Por, përpara ndeshjes të gjithë e dinë se do të qëndronit vigjilentë?
Pikërisht është ashtu. Ngandonjëherë nuk mund të parashikosh e të dish se çfarë duhet të bësh gjatë një aksioni. Ai gol (i pari i Liverpulit) ishte plotësisht i shmangshëm, por kur ke të bësh me një nga lojtarët më të mëdhenj në botë, mund ta pësosh dhe ashtu. Pa këtë gol, që solli edhe atë barazim të shpejtë (brenda 3 minutash pas golit të Lorikut), do të kishte qenë shumë e komplikuar për Liverpulin. Fatkeqësisht në ekipe ka gjithmonë t tilla individualitete e duhet të bësh shumë kujdes. Pas kësaj më duhet të befasohem pas një topi plotësisht të lehtë që niset nga pjesa tjetër e fushës, duket se nuk ka asnjë rrezik në pamje të parë, por gjendesh i befasuar në zonën tonë më pas. Kjo pasi përveç një pritjeje në fund të pjesës së dytë nga Stiv Mandanda, nuk mbaj mend që Liverpuli të kishte ndonjë rast të pastër për gol. Por është një ekip i madh dhe shumë mirë i organizuar. Nuk mund t’i shohësh kurrë duke u mbrojtur. Është e jashtëzakonshme. Jam duke menduar për Kajtin (futbollistin e Liverpulit), i cili i bëri përpunimin e fundit golit e që bëri 40 metra sprint për të kapur anësoren. Këta lojtarë janë të admirueshëm. Janë shembuj prej të cilëve duhet parë nga duhet të kalojmë dhe sa duhet të avancojmë.

Rekordi i Beqajt, 5 ndeshja pa pësuar gol

450 minuta i panjollosur. As nga Ibrahimoviç i Suedisë në eliminatoret e Kampionatit Botëror e as nga Diego i Verder Bremenit në Ligën e Kampioneve. Arjan Beqajt nuk mund t’i shënosh dot gol. Portieri i Kombëtares shqiptare ka pesë ndeshje të kombinuara midis skuadrës kombëtare shqiptare (2 të tilla, kundër Suedisë 0-0 e Maltës 3-0), kampionatit qipriot (2, kundër Apep Kyperounda 3-0 e Doxa 1-0 ) e Ligës së Kampioneve (1, kundër Bremenit 0-0) në harkun e 16 ditëve, nga 1-16 shtator. Një rekord unikal personal për 33-vjeçarin Beqaj, lojtarin i shpallur dy herë “MVP” kundër Olimpiakosit dhe portierin më të mirë kampionatit qipriot për sezonin e kaluar. Beqaj i vuri “drynin” portës së tij përballë një gjiganti europian si Verder Bremen me emra të tillë si Diego e Sanogo. “Vazhdon të shkruajë historinë Anorthosis Famagusta midis 32 më të mirave të Europës”, - shkruante me krenari faqja qipriote kerkida.net. “Zonja” (kështu thirret Anorthosis në Qipro) e nisi me sukses aventurën e saj në ndeshjen e parë të fazës së grupeve të Ligës së Kampioneve, duke barazuar pa gola kundër Verder Bremenit në “Vesershtadion”. Portieri i Kombëtares shqiptare ashtu si në ndeshjet e fundit të ekipit të tij, ishte një nga të dalluarit të formacionit të Timur Ketsbaia. Gjermanët patën disa mundësi të mira, por Beqaj me paraqitjen e tij u tha “Jo”, lojtarëve të Verder Bremenit, pavarësisht se trajneri Tomas Shaf në fund të takimit pati në lojë katër sulmues. Katër pritje shpëtimtare të Arjanit, ku spikat ajo e minutës së 91-të. “Treguam që në fillim që e meritonin të merrnin një ikë nga ky takim. Nëse ne shikojmë mënyrë n se si shkoi ky takim, atëherë rezultati 0-0 ishte më se i drejtë”, - u shpreh Beqaj pas ndeshjes. “Përgëzime lojtarëve të mi për këtë perfomancë. Ne luajtëm shumë mirë përballë një ekipi të fuqishëm. Unë jam realisht krenar për ekipin tim e startin e mirë në Ligën e Kampioneve ”, - tha trajneri i Anorthosit, Temuri Ketsbaia për uefa.com.

Pesë ndeshjet pa gol

Me Kombëtaren shqiptare
06.09.2008: Shqipëri-Suedi 0-0
10.09.2008: Shqipëri-Maltë 3-0

Në kampionatin qipriot
01.09.2008: Anorthosis-APEP 3-0
12.09.2008: Doxa-Anorthosis 0-1

Në Ligën e Kampioneve
16.09.2008: Verder-Anorthosis 0-0

18 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›