E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana: Me Danimarkën, këtë herë ndryshe

Kundërshtari vjen për herë të katërt në Tiranë dhe ka si synim të festojë kualifikimin me një fitore pas 90 minutave ndaj kuqezinjve.
 
Por Cana beson se të mërkurën në mbrëmje, në tapetin e blertë të “Qemal Stafës” do të zbresë një tjetër skuadër, e cila ka si objektiv t‘ia vështirësojë kualifikimin Danimarkës.
 
“Vërtet është kundërshtari që ka pasur më shumë sukses dhe ka shumë mundësi të jetë në krye të grupit. Këtë e trëgojnë vetë rezultatet që kanë arritur - pohon Cana. Kanë shumë pikë për aq ndeshje sa kanë luajtur. Normalisht do të vijnë këtu për të mbyllur gjithçka për sa i përket vendit të parë. Nga ana tjetër, ne jemi në rrugën e kolaudimit të ekipit të së ardhmes dhe testi me kundërshtarë të fortë është prova më e mirë për të krijuar ide më të qarta. Jam i bindur se do të jetë një tjetër lojë, një tjetër ndeshje nga ajo që kemi treguar në Kopenhagen para disa muajsh”.
 
Mesfushori thekson se nuk e shikon këtë sfidë si një hakmarrje për humbjen e 1 prillit, por premton se Shqipëria nuk ka ndërmend të dorëzohet lehtë.

“Danimarka duhët të na mundë, që të tregojë se sa vlen,- nënvizon Cana. Por në fushën tonë ne jemi një ekip mjaft i fortë. Realisht dëshira ime e madhe për këtë ndeshje është përparimi i skuadrës. Kemi shumë lojtarë të rinj. Kjo na jep shpresa për të ardhmen dhe për të ndërtuar një skuadër të fortë”.
 
Për herë të fundit në “Qemal Stafa”, danezët u larguan me një fitore 2-0 (9 tetor 2004, për eliminatoret e Botërorit 2006), kur Kombëtarja jonë drejtohej nga gjermani Hans Peter Brigel, por mesfushori i fuqishëm shqiptar, Lorik Cana, del “kundër” kujtimeve të pesë viteve më parë, ku dhe ai ishte një nga dëshmitarët në fushë të humbjes (vetëm tre lojtarë janë ende më Kombëtare nga ai takim: Cana, Duro, Skela).
 
Cana e di se përballë ka një skuadër të madhe, e cila, edhe nëse do të kishte siguruar kualifikimin, sërish në Tiranë do të kërkonte fitoren. Por, gjithsesi, ai pranon haptazi se në ndeshjen Danimarkë-Portugali ishte tifoz i luzitanëve.
“Ata janë një skuadër e organizuar mirë,- shtoi ai më pas. Por ne kemi misionin tonë, dëtyrën tonë për të fituar”. E njeh mirë kundërshtarin dhe nivelin e tyre të lartë, por mendon se edhe Shqipëria ka shanset e saj për ta fituar këtë ndeshje. Si shembull ilustrues jep sfidat që kuqezinjtë kanë luajtur me kundërshtarë edhe më të fortë, disa prej të cilave i kemi fituar edhe me pak fat.

Ai e vlerëson përiudhën e gjatë të grumbullimit të Kombëtares para kësaj ndeshjeje: “Kur ke shumë kohë, ke mundësi që të përgatitesh më mirë dhe trajneri ka mundësi t’i saktësojë gjërat më mirë. Kemi pasur disa dëmtime, por deri të mërkurën do të jemi gati në aspektin taktik dhe në detajet e vogla”.
 
Cana, që numëron 37 ndeshje me përfaqësuesen (1 gol), prej kohësh është “salduar” në qendër të mbrojtjes nga tre trajnerët e fundit të Shqipërisë, si me Oto Bariçin, Ari Hanin, ashtu dhe më Josip Kuzhen: “E ndiej veten më mirë atje ku ekipi ka nevojë për mua. Për momentin, nevoja është në mbrojtje dhe me gjithë qejf e bëj”,- përfundon Lorik Cana.

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›