Cana te Lacio, dëshirë e Lotitos!
Lajmi i largimit të Lorik Canës nga Gallatasaraji, pas vetëm një sezoni në Turqi, është bërë çështje dite në Azinë e Vogël. Mediat turke merren thuajse përditë me transferimin e mundshëm të kosovarit në radhët e kryeqytetasve bardhekaltër, ku drejtor sportiv është Igli Tare. Agjencia e lajmeve sportive, ajansspor.com, i referohet një lajmi të publikuar ditën e djeshme te “Corriere Dello Sport”, ku vetë presidenti Klaudio Lotito shprehet pozitivisht për këtë tratativë. Agjencia nënvizon faktin se oferta e deritanishme, e bërë nga Lacio, nuk i ka kaluar 4.5 milionë eurot, ndërsa Gallatasaraji nuk heq dorë nga kërkesa prej 6 milionë eurosh për idhullin e tifozërisë kuqezi. “Këtë detyrë, Igli Tares, ia kam caktuar unë – rrëfehet Lotito për Corriere-n. I thashë, shko dhe më sill në Romë atë lojtar shqiptar. Cana është një mesfushor i shkëlqyer dhe ky repart do të fitonte shumë fuqi. Na duhet një lojtar si Cana, me eksperiencë të madhe dhe me një fizik të atillë. Do të na japë shumë në skuadër”, ka deklaruar Presidenti Lotito.