Ujkani: Europiani nuk është i paarritshëm
Portieri kuqezi, që aktivizohet në radhët e Novarës në Serie B, mendon se Polonia dhe Ukraina nuk janë edhe aq larg
Portierin e kombëtares shqiptare, Samir Ujkanin, ende e ndjek atmosfera e para dy javëve në Tiranë, kur Shqipëria mposhti Bjellorusinë në një atmosferë elektrizuese, siç e quan ai. Me fitoren e shënuar ndaj Bjellorusisë (1:0), në ndeshjen e Grupit D për eliminatorët e "Euro 2012", Ujkani beson se kombëtares i janë hapur rrugët për të siguruar një biletë që çon në Europianin që do të mbahet në Ukrainë dhe Poloni. “Ishte fantastike. Me atë fitore i kemi hapur sërish rrugën vetes, për të synuar një vend në Europian. Sigurisht, kemi skuadra shumë të forta si Bosnja dhe Rumania apo Bjellorusia, por unë mendoj se mund t'ia dalim. Pas asaj fitoreje, gjithçka u elektrizua në Tiranë dhe jam i bindur se nuk mund të na ndalë askush", ka thënë Ujkani në një intervistë për "Ok Novara". "Mendoj se ishin më shumë se 20 mijë tifozë në stadium. Megjithatë, tifozët tanë ishin kaq fantastikë, saqë të gjithëve na u dukën sikur ishin trefishi". Ujkani ishte titullar në këtë takim. Atij iu besua porta para portierit me përvojë Arian Beqaj, por Ujkani vazhdon të punojë për të ruajtur këtë pozitë. Ai vlerëson konkurrencën. "Shqipëria ka portierë vërtet shumë të mirë. Arjan Beqaj është një portier i jashtëzakonshëm, aq sa shpeshherë më lë pa fjalë. Por, ka edhe të tjerë si Isli Hidi që luan në Qipro, që është gjithashtu një rival shumë i fortë për mua", ka shtuar Ujkani që luan me Novaran në Serie B, skuadër që pretendon të ngrihet në Serie A stinorin e ardhshëm. Kombëtarja shqiptare është e treta në Grupin D me shtatë pikë, ndërsa e para është Franca me 9 pikë.