Cani: Më mungon goli i parë në Piaçenca
Edgar Cani Xhunjor vazhdon paraqitjet e mira me Piaçencën në Serinë B italiane. Por, që prej transferimit te kjo skuadër, aventura e sulmuesit shqiptar është shoqëruar nga një fakt interesant: ai arrin të shënojë vetëm në ndeshjet jashtë fushe. Që prej janarit, kur u transferua te Piaçenca në formë huazimi nga Palermo, 20-vjeçari ka realizuar tre gola. I fundit ishte ai në barazimin 1-1 në fushën e Modenas. “Tashmë më mungon një gol në shtëpi”, deklaroi Cani për të përditshmen “Libertà”. “Gjithsesi, realizimi i atij goli ishte një kënaqësi: një rrjetë e rëndësishme për mua dhe për skuadrën. Krijuam një diferencë sigurie nga kundërshtarët në luftën për mbijetesë dhe shpresoj që në fund të kampionatit, golat e mi të kenë peshë për qëndrimin në Serinë B. Jemi në rrugë të mbarë, por kemi ende shumë punë për të bërë, pasi skuadrat që ndodhen poshtë nesh nuk dorëzohen”. Megjithatë, sulmuesi duhet ta shtyjë festën përpara tifozëve, pasi sfida e radhës do të luhet sot në fushën e Torinos. Piaçenca ka mundësi që në fund të sezonit të blejë gjysmën e kartonit të shqiptarit, por ai nuk mendon për të ardhmen: “Paraqitjet e mia nuk ndikohen nga ky fakt. Kemi si objektiv të mbijetojmë dhe asgjë nuk mund të na shpërqendrojë”.
#