Cannes rikthen universin e Sergio Leones me një projekt të ri ndërkombëtar

KANË, 12 maj /ATSH/ – Një projekt i ri ndërkombëtar kushtuar historisë së krijimit të kryeveprës së Sergio Leones “Once Upon a Time in America” është shpallur në kuadër të edicionit të këtij viti të Festivalit të Kanës.
Sipas “Leone Film Group”, producentja Raffaella Leone prezantoi projektin që do të rrëfejë origjinën dhe rrugëtimin e gjatë krijues e produksional të filmit ikonë të vitit 1984, të realizuar nga regjisori legjendar Sergio Leone.
“Është në thelb historia e një njeriu që ndjek një ëndërr gjatë gjithë jetës së tij”, u shpreh Raffaella Leone gjatë prezantimit.
Në regjinë e projektit do të jenë Giuseppe Stasi dhe Giancarlo Fontana, ndërsa skenari do të firmoset nga Giuseppe Stasi, Ludovica Rampoldi dhe Davide Serino.
Projekti do të realizohet në bashkëpunim me Leonardo Maria Del Vecchio dhe kompaninë “Vice Pictures”, duke sjellë në ekran historinë pas një prej filmave më të rëndësishëm në historinë e kinemasë botërore.