Cara: Pas 24 orësh shuhet zjarri që përfshiu malin e Milotit, zona nën monitorim

TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Kryetarja e bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara njoftoi sot se pas gati 24 orësh, zjarri që përfshiu malin e Milotit është shuar thuajse totalisht dhe zona po mbahet ende nën monitorim.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Cara theksoi se kanë qenë 24 orë sfiduese për çdokënd që mori pjesë në këtë operacion, ku përparësi absolute ishin jetët e njerëzve dhe mbrojtja e pronës.
Sipas saj, terreni i vështirë malor dhe me dendësi të madhe pishash e bimësie e ka bërë edhe më të vështirë situatën ndaj është kërkuar ndërhyrja nga ajri, e cila ka qenë e menjëhershme.
“Me gjithë përmasat e mëdha të zjarrit, vatrat janë mbajtur nën kontroll duke mos lejuar kërcënimin e shtëpive dhe shmangur nevojën për evakuim të banorëve”, theksoi ajo.
Cara nënvizoi se pak momente pas njoftimit për zjarrin e në vazhdim gjatë gjithë ditës e natës janë angazhuar dy helikopterë, mjetet zjarrfikëse të Kurbinit, Lezhës, Kamzës dhe Vorës, autobote uji, trupa tokësore të Forcave të Armatosura dhe emergjencat civile vendore.
Ajo shprehu mirënjohjen për të “gjithë ata që kontribuan në këtë betejë të vështirë dhe tejet sfiduese, duke filluar nga Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, i cili ka qënë në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha strukturat, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile Haki Çako, prefekti i qarkut Lezhë, Taulant Malshi, trupat e FA-së, zjarrfikësit e Kurbinit dhe ato të ardhur në ndihmë nga bashkitë fqinje, emergjencat civile vendore dhe banorë të Milotit që kanë qëndruar aty me ne deri në normalizimin e situatës”.
Në përfundim, Cara u bëri thirrje organeve kompetente që nëse kjo situatë është e krijuar nga duar kriminale duke venë në rrezik jetën e banorëve e shkatërruar kurorën e gjelbër të qytetit, të hetojnë e marrin çdo masë për të nxjerrë përgjegjësit para drejtësisë.
/m.q/r.e/