“Carmina Burana” rikthehet në skenën e TKOB nën dirigjimin e Sergio Alapont

Shfaqja e shumëpritur, “Carmina Burana”, rikthehet në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor më e freskët se kurrë me solistë të mirënjohur, korin dhe orkestrën simfonike, nën drejtimin e dirigjentit të dashur nga publiku, Sergio Alapont.
Vepra monumentale e Carl Orff do të sjellë për dy net me radhë një spektakël tingujsh, i krijuar nga më shumë se 170 artistë, që ngjiten në skenë.
Kryevepra botërore e kompozitorit gjerman vjen për publikun shqiptar me interpretimin e Korit të Zërave të Bardhë, i cili u bashkohet profesionistëve për të krijuar një natë të mbushur me emocione dhe energji të papërmbajtshme.
Nën drejtimin e maestros Sergio Alapont dhe maestro Dritan Lumshit do të interpretojnë sopranoja Eva Golemi, Nina Muho, tenori Matias Xheli dhe baritoni Armando Likaj.
“Është kënaqësi e veçantë për mua, pasi kam dashur me kohë ta bëj këtë vepër, jo për nga rëndesa, por për nga bukuria e muzikës që kjo vepër përmban për sa i përket rolit të sopranos,” shprehet sopranoja Muho.
“Është një vepër komplekse, sidomos personazhi i vokalit bariton. Ka një tesiturë vokale shumë komplekse. Është ndër rolet më sfiduese për nga ana e teknikës vokale, baritonale. Mesazhi i fortë i kësaj vepre është që luan me tensionin e përjetshëm të njeriut,” tregon baritoni Likaj.
Shfaqja do të vije në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit më 25 dhe 26 qershor.
Gazetare: Xhilda Kondi
/rtsh.al/