E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kumbaro dhe Hoxha inspektim në Vlorë për sezonin turistik: Vëmendje ndaj ndotjes mjedisore

Turi i inspektimeve në bregdet nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ka vijuar në Vlorë, ku ishte e shoqëruar edhe nga ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha dhe kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha.

Gjatë inspektimit, ministrja u takua me përfaqësues të biznesit të hotelerisë dhe u la porosi respektimin e distancës publike nga vija e detit.

“Të gjithë ata që marrin një stacion plazhi, në një plazh ranor kanë detyrimin të lënë distancën deri tek vija e bregdetit, 7.5-8 metra në funksion të kujtdo tjetër që do jo vetëm mund të shëtisë, por të vendosë edhe peshqirin e tij. Nëse do të ketë shërbimin tuaj, mund të marrë shërbimin tuaj. Në bregdetin që është më i ngushtë siç është përgjithësisht bregdeti Jon duke filluar nga Jonufri, Radhima dhe më tutje, kjo distancë, nga buza e detit, radha e parë është 2.5-3 metra sepse janë plazhet më të ngushta, nuk ka atë lloj gjerësie siç është këtu, por buza e detit është gjithmonë e drejtë e çdo njeriu të rrijë, të lahet, të pushojë”, tha Kumbaro.

Ministri Hoxha, nga ana tjetër, u shpreh se në bazë të planit të masave të hartuar nga Policia e Shtetit, punonjësit e policisë do të jenë në terren edhe për çështje të ndotjes së mjedisit.

“Punonjësit e policisë do të jenë në dispozicion edhe për çështjet e mjedisit, për çështje të zhurmave, për lehtësimin e qarkullimit rrugor, për krime të ndryshme mjedisore, për të cilat do të merren masa në mënyrë të menjëhershme, por edhe subjekteve që operojnë në zonat bregdetare, policia do t’u vijë në ndihmë për çdo lloj shqetësimi duke telefonuar numrat e vënë në dispozicion për sezonin e plazhit. Vjet kemi pasur një sezon shumë të mirë, me asnjë incident ose ngjarje kriminale”, tha Hoxha.

Kryetari i Bashkisë Vlorë u shpreh se institucioni po përfundon ndërtimin e një modeli të plazhit publik si ai i Lungomares, edhe në plazhin e vjetër të Vlorës.

“Deri në fund të kësaj jave, do të kemi edhe një plazh të ngjashëm, me çadra, falas në plazhin e vjetër, për të cilin është informuar dhe publiku”, u shpreh Dredha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›